Sot në Kuvend, opozita kërkoi një mocion me debat për fondet e Bujqësisë, por Partia Socialiste ia rrëzoi, duke theksuar se ende nuk është bërë i ditur dokumenti zyrtar për këtë çështje. Kryeparlamentarja Lindita Nikolla:
Nuk po propozoj datë. Por, po them deri në daljen e një dokumenti zyrtar nuk mund ta zhvillojmë mocionin. Nuk ka dalë raporti, është konfindencial.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi akuzoi Nikollën se po shkelte rregulloren e Kuvendit. Më herët Bardhi tha se Zyra kundër Mashtrimit në BE ka njoftim zyrtar mbi këtë çështje dhe Kuvendi nuk mund të rrëzojë mocionin me debat.
Ka një njoftim zyrtar të zyrës kundër mashtrimit në BE që deklaron se ka informuar autoritetet përgjegjëse përfshirë ato të drejtësisë, mbi raportin përfundimtar të zyrës së OLAF-it për abuzimet në sektorin e bujqësisë. Çfarë më shumë zyrtare kërkoni ju? Ministrja duhet të ketë marrë raportin zyrtar. Nëse se kanë sjellë, autoritet e BE-së, s’kanë besim te drejtësia shqiptare.
Kanë shpallur skenë krimi Ministrinë e Bujqësisë dhe nuk ka një përgjigje nëse e kanë marrë apo jo raportin. Raporti është përfundimtar. Mocioni me debat bazohet në njoftim zyrtar të zyrës kundër mashtrimit në BE.
Sipas tij, zyra kundër mashtrimit në BE i ka sugjeruar KE-së që të pezullojë dhënin e fondit të programit të ri IPARD 3 në vlerën 112 milion euro. Bardhi theksoi se opozita i ka shtrirë dorën maxhorancës për të miratuar masat e duhura ligjore në bashkëpunim me Bashkimin Europian për zhbllokimin e këtij fondi.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, iu përgjigj akuzave të opozitës:
Në lidhje me mocionin me debat dhe rezolutën e propozuar nga grupi i PD-së, ne kemi mbajtur qëndrim shumë të qartë në Konferencën e Kryetarëve. Jemi dakord të zhvillojmë debat për një çështje kaq të rëndësishme për një sektor jetik si bujqësia.
Por, pikërisht në mbrojtje të interesit të fermerëve dhe të përpjekjeve që bën qeveria për zhbllokimin e fondeve, ne kemi thënë që është i parakohshëm ky debat derisa raporti i OLAF-it është konfidencial. Ka vetëm një paragraf në raportin vjetor të OLAF-it për 2023-shin, ku përmenden të gjitha shtetet ku ka shkelje të procedurave për fondet e BE-së. Vetëm ky paragraf është publik.
Prandaj propozuam që pasi ky proces të realizohet, ne duhet ta bëjmë këtë debat pasi të jetë e sqaruar kjo situatë. Ne jemi të hapur për ta bërë këtë debat. Ky është qëndrimi ynë. Na duhet çdo e dhënë për debatin, me qëllimin e mirë në interes të fermerëve. Për ato pyetje që shtroi kreu i grupit të PD-së, kemi sot interpelancë me ministren e Bujqësisë.