Aktualitet Lajmet e fundit Politikë

Kuvend, opozita kundër ligjit për privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore!

Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë po zhvillon seancën plenare të radhës e marrëveshja për njohjen e pensioneve me Italinë është mes diskutimeve. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi se kjo marrëveshje ka si qëllim mbrojtjen shoqërore për shtetasit e dy vendeve, bazuar në përvojën ndërkombëtare e legjislacionet respektive në fuqi.

Kjo marrëveshje që paraqesim sot shënon një garanci shtesë për qytetarët e dy vendeve tona. Marrëveshja garanton që asnjë qytetar të mos humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht vendit ku ka punuar, duke mundësuar kushtet ligjore për përfitimin e pensioneve, përfitimin e sigurive shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë në punësim dhe të ardhura.

Objekti i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë sigurime për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjet e sigurimin e papunësinë.

Përfitimet nga skema italiane përfshijnë sigurimin e përgjithshëm të detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjarë të punonjësve të punësuar; trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar në sektorë të ndryshëm dhe trajtimin e ndarë të këtij sigurimi të përgjithshëm të detyruar; sigurimin për sëmundjet ku përfshihen edhe tuberkulozi e barrëlindja; sigurimi i papunësisë dhe skemat e posaçme zëvendësuese dhe të veçanta të sigurimit, të krijuara nga kategori të caktuara punonjësish.

Marrëveshja parashikon që periudha e sigurimit e realizuar në njërin shtet të njihet edhe nga shteti tjetër, me kusht që të mos mbivendosen. Çdo person ka të drejtë të tërheqë përfitimin e siguruar kudo ku ai ndodhet. Bashkimi i periudhave kontributive, për të përmbushur afatin minimal (në rastin e Shqipërisë, prej 15 viteve) që duhet për të përfituar pension.

Sipas Gonxhes, janë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje dhe rreth 4 mijë shtetas italianë në Shqipëri.

Më herët në Kuvend, maxhoranca socialiste rrëzoi kërkesën e deputetes demokrate, Dhurata Çupi, për të tërhequr nga rendi i ditës projektligjin për privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore. Kjo pikë çoi edhe në debate.

Deputetja demokrate, Dhurata Çupi kërkoi tërheqjen e pr/ligjit, duke thënë se është abuziv dhe klientelist.

Ju kërkoj ta tërhiqni këtë pr/ligj, se është antikushtetues, i porositur e që do të marrë edhe ato pak prona që i kanë mbetur shtetit. Pronat shtetërore do t’i jepen privatit për kulla. Pr/ligji që i jep klientëve të qeverisë që kanë marrë në bregdet pronat me ligjin për “Investimet strategjike”. Ky është ligj antikushtetues e shkatërron vendin. Vetëm Kryeministria do mbetet nesër se atë nuk e lëshon, çdo godinë shtetërore do t’i jepet privatit.

Deputeti socialist, Eduard Shalsi, njëherazi kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, iu përgjigj kësaj kërkese, duke argumentuar se në rastin më të mirë, opozita është e painformuar e në rastin më të keq, sipas tij “kërkon të dezinformojë”. Shalsi u shpreh:

Unë jam iniciuesi i këtij propozimi. Çdo godinë shtetërore do t’i jepet privatit. Jua thashë dhe atë ditë, në rastin më të mirë jeni e painformuar, në rastin më të keq, me ligësi kërkoni të dezinformoni. Pse nuk qëndruat në Komisionin e Ligjeve teksa jepja argumente? Pse nuk dëgjove rastet kur qeveria e kaluar kishte shkëmbyer prona me privatin? Synimet janë të qarta, po sanksionojmë një të drejtë që është në Kodin Civil, asgjë më shumë, asgjë më pak.

Propozimi i opozitës për ta hequr nga rendi i ditës nuk u miratua, pasi vetëm 5 deputetë opozitarë votuan pro heqjes.