Aktualitet Politikë

Kuvend, bie mocioni kundër dhunës ndaj gazetarëve!

Me votë, sot Kuvendi nuk pranoi mocionin me debat për mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna e çdo forme, mocion i propozuar nga deputetja demokrate, Ina Zhupa. Fillimisht, kjo kërkesë nuk u pranua nga kryetarja e Kuvendit. Lindita Nikolla tha se me të drejtën që i jep ligji, rrëzon këtë kërkesë pasi nuk është në përputhje me rregulloren e Kuvendit dhe nuk është përgjegjësi e Këshillit të Ministrave.

Mocion me debat për rezolutën për mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna e çdo lloj forme dhe njohja e rolit të pazëvendësueshëm të medias së lirë dhe të pavarur. Kam argumentuar mospranimin mocionit për zhvillimin e debatit pasi nuk është në përputhje me Rregulloren. Kryetari i Kuvendit në Nenin 89 ka dhe pikën 3, të mos pranojë mocione që nuk janë përgjegjësi e Këshillit të Ministrave dhe janë në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

Por, për deputeten Zhupa, mospranimi është një “shenjë turpi e kësaj qeverie”, duke shfaqur “qasjen më diktatoriale dhe anti-integruese, duke masakruar rregulloren e Kuvendit”.

Zonja kryetare, unë e di që njohuritë tuja janë shumë të cekta, por minimalisht duhet të pyesni juristët e Kuvendit kur merrni përsipër të shkaktoni një precedent që nuk ekziston. Në cilën pjesë të Rregullores e keni lexuar se mocioni për debat duhet të bëhet vetëm për llogari të Këshillit të Ministrave?

Pasi konsultohesh merr vendimin. Ti nuk je konsultuar dhe e ke marrë vetë vendimin. Ju kanë hedhur në zjarr pa e ditur se çfarë po bëni. Rezolutat nuk bëhen vetëm për çështjet e qeverisë, por kundër luftës, për barazinë gjinore, etj. Bëhet fjalë për një rezolutë për një barazi gjinore, për dhunë ndaj grave dhe ju si grua duhet të thonit falëminderit që e sollët dhe mund të kishit shtuar, por nuk mund të vini të thoni që nuk është një çështje e qeverisë.

Ju po i thoni kryeministrit se unë nuk lejoj që të flitet për ju për dhunë  verbale ndaj gazetarëve. Ti ke dalë si ushtarja e parë, e shkel vetë Rregulloren për t’i treguar besnikëri kryeministrit. Ju keni frikë nga pyetjet e gazetarëve të pavarur dhe ju dhëmb fjala e tyre.

Kjo qasje e Kuvendit që e ktheni në një aneks të qeverisë, ku duhet të kalojnë vetëm mocionet dhe rezolutat që sjell qeveria është qasja më diktatoriale e anti-integruese që ekziston. Çdo gjë që sjell opozita, për ju duhet refuzuar. Kjo është një qasje që do i kushtojë Shqipërisë në raportet ndërkombëtare dhe në lirinë e medias.

Kryetarja e Kuvendi iu përgjigj duke i kujtuar sulmin me molotov që iu bë gazetarëve në protestën e opozitës para Bashkisë Tiranë, dy ditë më parë.

Patjetër, respekt maksimal për punën dhe rolin e të gjithë gazetarëve pa i ndarë ata në burra dhe gra. Kanë një kontribut të pamohueshëm për demokracinë, por ndryshe nga ju që ndryshe flisni këtu e ndryshe jashtë, dy ditë më parë ishin gazetarë ata që u goditën me molotov.