Gjykata Kushtetuese konfirmoi se ka refuzuar kërkesën për të dërguar ekspertë dhe përfaqësues në tryezat e punës së Komisionit Antikorrupsion. Në përgjigjen të kthyer nga kryetarja e institucionit, Holta Zaçaj thuhet se pjesëmarrja në aktivitete që lidhen me procese ligjbërëse, në të ardhmen mund t’i sjellë konflikt në ushtrim të funksionit të saj, në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
Për shkak të funksionit tonë, nuk mund të marrim pjesë në aktivitete që lidhen me procese ligjbërëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrim të funksionit të saj, në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
Ky komision drejtohet nga deputeti socialist, Fatmir Xhafa, i cili i kishte çuar ftesë gjykatës për t’u përfaqësuar. Rreth një muaj më parë, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit.
Në një reagim të selisë diplomatike të Uashingtonit thuhej se “presin që puna e komisionit të jetë përfshirëse e transparente, në përputhje me Kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”.
Si partnerë të palëkundur të përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit. Ne presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë.
Me 74 vota pro dhe 6 kundër, më 30 maj, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.