Ende enigmatike mbetet arsyeja e vrasjes së 42-vjeçarit Egli Proga në Pogradec, pasi u dhunua nga Denis Meçe. Top Channel ka zbardhur dosjes e Prokurorisë, ku janë marrë dëshmitë e personave të ndodhur në vendin e ngjarjes në momentin kur Proga ka rënë në tokë dhe ka ndërruar jetë në vend.
Por dëshmitë e tyre shfaqen kontradiktore, duke ngritur edhe më shumë dyshime për atë që ndodhi paditen e së shtunës. Pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja pranon se ndodhej vetëm pak metra larg dy djemve, por thotë se nuk kishte dëgjuar asgjë dhe kamerat e lokalit të tij çuditërisht nuk ishin në gjendje të regjistronin.
“Nuk kanë bërë asnjë lloj debati apo konflikti midis tyre dhe ka ndejtur shumë pak kohë pasi vetëm gjysmën e birrës ka pirë dhe është ngritur ka shkuar në tualet. Kur doli jashtë kanë thirrur njerëzit me zë të lartë që kërkonin ujë dhe kam dalë me të shpejtë jashtë dhe e pashë atë të shtrirë në tokë, e ngrita për t’i dhënë ndihmë deri sa erdhi ambulanca që e mori. Kamera që kam unë tek lokali e kam kontrolluar dhe nuk regjistronte fare por vetëm sa sheh në moment dhe asgjë më tepër”– tha ai.
30 metra larg vendit ku ndodhi ngjarja ka qenë edhe kushëriri i Egli Progës, i cili ka deklaruar përpara oficerit të policisë gjyqësore se nuk ka parë as ngjarjen dhe as autorin.
“Unë nuk jam afruar por kam parë nga larg që ka dalë i zoti i lokalit dhe i është afruar personit të rrëzuar në tokë dhe po i jepte ndihmë. Më thanë se personi që ishte rrëzuar në tokë ishte kushëriri im shtetasi Eglantin Proga. U afrova menjëherë dhe persona që ishin atje pranë lajmëruan dhe ambulancën që erdhi për 10 minuta. Unë nuk munda dot të identifikoj personin që goditi me grusht kushëririn tim. Nuk kam dëgjuar kur e pashë, as të bërtitura dhe as të shara.”– tregoi kushëriri.
Vrasja e Egli Progës në Pogradec tronditi opinionin publik, pasi familjarët hedhin akuza për manipulimin e rrethanave të ngjarjes dhe tentativave për të fshehur të vërtetën./ TCH