Aktualitet

Kush ishte “i forti i Vlorës” që vdiq në QSUT? Nga pengmarrja e gruas së biznesmenit te plagosja e shefit të Krimeve Vlorë

Fotaq Zaharia, i njohur si “i forti i Vlorës, po trajtohej për isuficencë respiratore që prej datës 16 gusht në Reanimacionin e QSUT, por këtë të hënë humbi betejën më sëmundjen.

Më herët, ai mori trajtim në Spitalin e Burgjeve, por kërkoi transferimin e tij në QSUT për kujdes të specializuar.

Në fakt, që prej vitit 2018, Zaharia kërkoi nga autoritetet t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi gjendja e tij ishte rënduar, por kjo kërkesë nuk gjeti zbatim. Ai kishte kërkuar që t’i vendosej një pllakë në këmbë për shkak të sëmundjes.

Çështja e Fotaq Zaharisë në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut

“I forti i Vlorës”, Fotaq Zaharia ishte dënuar me 24 vite heqje lirie nga Apeli i Krimeve të Rënda për akuzat e “grabitjes”, “pengmarrjes” dhe “tentativës së vrasjes”. Në 2018, ai kërkoi liri pasi gjendja e tij shëndetësore u rëndua, pasi ishte plagosur në këmbë ditën kur iu vunë prangat.

Edhe më herët, në vitin 2015, Gjykata e Krujës kishte urdhëruar autoritetet që të kryenin një ndërhyrje të dytë kirurgjikale. Në vitin 2016, Gjykata e Strasburgut konstatoi që ky vendim nuk ekzekutohej dhe dha një masë të përkohshme, duke u kërkuar autoriteteve shqiptare që të zbatojnë vendimin e Krujës.

Por, përsëri ky vendim nuk gjeti zbatim, pasi mjekësia shqiptare e kishte të pamundur të mbulonte ndërhyrjen kirurgjikale, që i nevojitet Fotaq Zaharisë.

“Nga drejtësia shqiptare kërkoj drejtësi në të gjitha drejtimet”, shprehej i dënuari Fotaq Zaharia.

Në vitin 2022, ai u dëmshpërblye me 13 mijë euro me urdhër të Strasburgut.

Krimet e Fotaq Zaharisë në Vlorë

Fotaq Zaharia, i cilësuar gjatë viteve 1997-2007 si i forti i Vlorës, për shkak të grabitjeve dhe pengmarrjeve me armë që kryente, kaloi në sitën e verifikimit financiar të OFL-së katër vite më parë.

Më datë 17 qershor 2001, Fotaq Zaharia, së bashku me Ermir Habili dhe Armando Bega e Haxhi Hoxha, janë arratisur nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Vlorë, ku ndodheshim me masë sigurimi “arrest në burg” të dyshuar se kishin kryer disa vepra penale, si “vjedhje” dhe “rrëmbim personash me qëllim përfitimi”.

Zaharia, në kohën kur ka qenë i lirë, ishte kthyer edhe në tmerrin e Vlorës, por prokuroria arriti t’i provonte akuzën e grabitjes me armë, pengmarrjen e gruas së një biznesmeni në Vlorë dhe “vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë ndaj shefit të krimeve në Vlorë, Gentian Musabelliut./ Top Channel