Bota

Kush është Kaja Kallas, gruaja që mund të zëvendësojë Borrellin?

Kritike e madhe e Rusisë, mbështetëse e vazhdueshme e Ukrainës dhe përkrahëse e idesë që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Këto janë vetëm disa prej pikave të forta, për të cilat njihet kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas. Sa i përket Kosovës, ajo është takuar disa herë me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe ka thënë se mbështet synimet euro-atlantike të këtij shteti.

Emri i 47-vjeçares po përmendet shpesh së fundmi, si mundësi për t’u emëruar si kryediplomate e Bashkimit Europian në legjislaturën e re të bllokut. Aktualisht, këtë pozitë e mban Josep Borrell. Liderët e Unionit u takuan më 17 qershor për të diskutuar emrat e rinj në pozitat kryesore të Unionit, por nuk kanë arritur pajtim. Ky ishte takimi i tyre i parë, pas zgjedhjeve të mbajtura për Parlamentin Europian më 6-9 qershor.

Pavarësisht rritjes së konsiderueshme të partive të së djathtës ekstreme, partitë e qendrës së djathtë dhe të majtë kanë dalë të parat. Kjo nënkupton që shefja aktuale e BE-së, Ursula von der Leyen e Partisë Popullore Europiane, e cila ka fituar më shumë vota, ka shumë mundësi të fitojë një mandat të dytë.

Përveç emrit të Kallasit për pozitën e kryediplomates së BE-së, në qarqet diplomatike po përmendet edhe emri i ish-kryeministrit të Portugalisë, Antonio Costa, për pozitën e shefit të Këshillit Europian.

E kërkuar në Rusi

Qëndrimi i ashpër ndaj politikave të Rusisë mund të jetë një prej dilemave nëse Kallas do të mund të bëhet kryediplomate e BE-së, duke marrë parasysh qëndrimet e disa liderëve europianë ndaj Moskës edhe pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, siç thuhet në një material të agjencisë Reuters.

Si shembull, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, vazhdon të kultivojë marrëdhënie miqësore me presidentin rus, Vladimir Putin. Ndryshe prej Orbanit, Kallas e ka ngjitur Estoninë lart në listën e vendeve që kanë ndihmuar Ukrainën për t’i bërë ballë konfliktit.

Emri i saj është në listën e kërkimit të Ministrisë së Brendshme ruse për “shkatërrimin e monumenteve të epokës sovjetike”. Bashkë me Letoninë dhe Lituaninë, Estonia ka rrëzuar shumicën e monumenteve të kësaj periudhe, sidomos ato që përkujtojnë ushtarët sovjetikë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore./Radio Evropa e Lirë