Jemi vërtet radio më e dashur dhe më e dëgjuar e shqiptarëve por nuk do të thotë që jemi perfekt. Fundja të jesh perfekt është pak e mërzitshme. Ndaj siç është bërë zakon ditën e fundit të vitit nuk e censurojmë veten, fusim on-air ato që na kanë shpëtuar dhe ato që ua kemi kursyer për një vit të tërë për t’i shijuar ndërkohë që bëni përgatitjet e fundit për festën e madhe.
Personazhet që mbushin ditët tuaja në radio çdo ditë do i dëgjoni siç nuk jeni mësuar t’i dëgjoni, në të gjithë dimensionin e tyre… njerëzor. Prezantuesit, folësit e lajmeve si edhe të ftuarit e një viti në mijëra orë transmetimi janë selektuar me kujdes për të ngacmuar tek ju të qeshura dhe energji pozitive.
Kush është gafaxhiu më i madh i mbrëmjes, Dj Vini dhe Saix kanë dëgjuar çdo program dhe regjistrim për të sjellë një sallatë gallate para se vendin t’ja zërë sallata ruse e darkës më të rëndësishme të vitit për të gjithë, veç atyre që janë martuar ose bërë synet në 2022.
Koloreto Cukali dhe Blerina Shehu sjellin gafat e çdo “Sot Nuk Është e Hënë”. Salsano Rrapi dhe Adi Pojana çifti i “Ndryshe” prezantojnë veten dhe kolegët e tyre me më të ‘këqijat’ e vitit. Dyshja e “Pardon My French”, Jonida Aliçkolli dhe Elona Duro sjellin batuta dhe gafa që do t’ju shkaktojnë shumë të qeshura. Anna Shkreli dhe të ftuarit e saj në “Çdo gjë është ashtu si duket” vijnë me disa gafa që nuk duhen humbur. Teksa edhe grupi i “Pasó”, Edi Manushi, Glenti Nallban, Gëzim Sinemati, Redi Jupi, Lorenc Jemini janë pjesë e “Surprise”.
Antiola Bame, Dorjana Lato dhe Edison Hallaçi spikerët e lajmeve në Top Albania Radio do të largohen nga petku serioz i lajmeve me peshë, për të ardhur në një tjetër dimension me gafat e tyre.
Albana Ruçi, Elios Shuli, Ksenja Shoshaj dhe Stenaldo Mëhilli të cilët përgjatë një viti, ju kanë informuar rreth të rejave më të fundit të showbiz-it, ju kanë argëtuar dhe mbi të gjitha kanë përcjellë muzikën e mirë, në “Surprise” do të shkaktojnë shumë të qeshura me gafat e tyre.