Donald Trump dhe Kamala Harris u takuan për herë të parë në skenën e debatit presidencial në Filadelfia. Në një 90 minutësh të zjarrtë, shpesh Harris e tronditi ish-presidentin me sulme personale që i hodhën mesazhe e ngritën temperaturën e kësaj gare të shumëpritur.
“Gërmimet” e saj të mprehta lidhur me madhësinë e turmave të tij në tubim, sjelljen e rivalit gjatë trazirave të Kapitolit dhe mbi zyrtarët që shërbyen në administratën që drejtonte e që tani janë bërë kritikë të hapur të fushatës Trump, vazhdimisht e lanë në këmbë këtë të fundit. Për pjesën më të madhe të debatit, modeli ishte që Harris ta shtynte rivalin republikan të bënte mbrojtje të zgjeruar për sjelljen dhe komentet në të kaluarën.
Amerikanët duhet të shkojnë në një tubim të Trump-it, tha Harris pas pyetjes për emigracionin. Njerëzit fillojnë të largohen herët nga mitingjet, nga lodhja e mërzitja.
Kjo e tronditi qartë ish-presidentin, pasi më pas shpenzoi pjesën më të madhe të përgjigjes së tij në një temë që duhet të ishte një nga fushat kryesore të forcës që ka duke mbrojtur përmasat e tubimeve të veta e nënçmuar të kundërshtares.
Nëse debatet fitohen dhe humben kur secili kandidat përfiton më mirë nga çështjet ku është më i fortë dhe mbrohet ose shmanget në fushat e dobëta, duhet theksuar se dje anoi në favor të zëvendëspresidentes. Një sondazh i parakohshëm i CNN-in me votuesit që e ndoqën, tha se Harris performoi më mirë dhe kompanitë e basteve konfirmuan të njëjtën gjë.
Kjo mund të jetë momentale, por taktika e Harris-it për ta vënë Trump-in në mbrojtje u duk qartë që herët në mbrëmje kur temat e mbuluara ishin ekonomia dhe aborti. Sondazhet e opinionit publik tregojnë se shumë amerikanë janë të pakënaqur me mënyrën si administrata Biden ka trajtuar inflacionin dhe ekonominë.
Por, Kamala e ktheu temën te tarifat e propozuara nga Trump, të cilat i etiketoi “taksë mbi shitjet e Trump-it” e më pas solli Projektin 2025, planin kontravers të pavarur konservator për një administratë të ardhshme republikane.
Siç ka bërë në të kaluarën, Trump u distancua nga projekti dhe mbrojti planin e tij tarifor, duke vënë në dukje se administrata Biden mbajti shumë nga tarifat në presidencën e tij të parë. Ishin pika të vlefshme, por kjo e pengoi atë të godiste zv.presidenten për inflacionin dhe çmimet e konsumit.
Për abortin, Trump mbrojti trajtimin e tij të çështjes, duke thënë se amerikanët në të gjithë spektrin donin që mbrojtja e abortit Roe v Wade të rrëzohej nga Gjykata e Lartë, një deklaratë që sondazhet nuk e mbështesin.
Harris shfrytëzoi rastin për t’i bërë një thirrje personale familjeve që janë përballur me komplikime të rënda të shtatzënisë dhe nuk kanë mundur të marrin kujdesin e abortit në shtetet që e kanë ndaluar procedurën.
Trump ndalon abortet. Eshtë fyese për gratë e Amerikës.
Ishte një mesazh i moduluar me kujdes në një fushë në të cilën Harris ka një avantazh dyshifror ndaj Trump-it. Herë pas here, ndërsa mbrëmja përparonte, Harris e vuri Trump-in në mbrojtje me goditje dhe ironi që ai mund t’i kishte injoruar, por me sa duket ndihej i detyruar t’i adresonte.
Në lidhje me tërheqjen nga Afganistani, një pikë tjetër e dobët për Harris-in, zëvendëspresidentja e zhvendosi bisedën te negociatat e Trump-it me zyrtarët talebanë duke i ftuar ata në Camp David. Ishte një model që u shfaq pa pushim dhe u tregua shumë efektiv.
Republikanët po ankohen për atë që thonë se ishte favorizimi që moderatorët e ABC-së, David Muir e Linsey Davis, treguan ndaj Harris-it. Që të dy kundërshtuan dhe kontrolluan faktet e pohimet e bëra nga Trump në disa raste.
Në fund, ishin përgjigjet dhe gatishmëria e Trump-it për të marrë e “përtypur çdo karrem” që Harris i paraqiste, që ishte historia e mbrëmjes. Dhe kjo u duk në fytyrat e dy kandidatëve. Sa herë që kundërshtari fliste, Harris merrte një pamje të studiuar hutimi ose mosbesimi. Trump, kryesisht u nënshtrua.
Pothuajse menjëherë pas përfundimit të këtij debati, fushata e Harris-it bëri thirrje për një debat të dytë presidencial përpara nëntorit. Vetëm kjo duhet të tregojë si demokratët mendojnë se nata e së martës shkoi mirë për Kamala Harris-in.