Rajoni

Kurti: Të sanksionohen ata që bashkëpunojnë me personat në listën e zezë!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i bëri thirrje Perëndimit që të sanksionojë të gjithë personat për të cilët tha se “komunikojnë dhe bashkëpunojnë me personat që gjenden në listën e zezë në Ballkanin Perëndimor”. Gjatë fjalimit në Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje, Kurti u shpreh se po ashtu, Serbisë duhet që t’i kushtëzohen “përfitimet aktuale”.

Andaj Perëndimit demokratik, në veçanti Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, ne u bëjmë thirrje që Serbisë t’i kushtëzohen përfitimet aktuale, jo vetëm ato të ardhshme nga BE-ja, SHBA-ja e Mbretëria e Bashkuar. Duhet të sanksionohen nga SHBA-ja, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar ata që bashkëpunojnë me personat që ndodhen në listë të zezë në Ballkan. Ata që janë pjesëtarë të organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”. Përndryshe kriminelët që shëtisin të lirë, përndryshe listat e zeza, nuk janë efektive.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, u shpallën organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës, qershorin e vitit të kaluar. Kurti deklaroi se “lista e zezë duhet të japë rezultate nëpërmjet sanksionimit të të gjithëve atyre që komunikojnë e bashkëpunojnë me ta”.

Po ashtu, kërkoi që autoriteteve të Kosovës t’i dorëzohet Milan Radoiçiç dhe pjesëtarët e grupit të tij, që Kosova i akuzon për organizimin e sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës, shtatorin e vitit të kaluar. Në Banjskë, më 24 shtator 2023, një grup serbësh të armatosur vranë një polic të Kosovës. Gjatë shkëmbimit të zjarrit gjetën vdekjen edhe tre sulmues serbë.

Kurti e akuzoi Serbinë edhe se nuk po respekton marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Po ashtu, ai mbrojti veprimet e autoriteteve të Kosovës në veri të vendit e që bashkësia ndërkombëtare i ka cilësuar si “të njëanshme” e “të pakoordinuara’.

Ata që ankohen për veprimet tona të njëanshme janë duke u ankuar pse e kemi shpallur pavarësinë, janë duke u ankuar pse fituam në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, janë duke u ankuar pse përfundoi mbikëqyrja e pavarësisë. Sundimi i ligjit për shtetin sovran është sikurse frymëmarrja.

Kryeministri kosovar kërkoi që të rivendoset zona tokësore e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Meqë brenda dy vjetëve, katër herë Serbia e ka sjellë ushtrinë e saj te kufiri ynë, duhet rikthyer zona tokësore e sigurisë në gjerësinë 5 kilometra rrotull kufirit të Kosovës. Ajo ishte hequr në gusht të vitit 2001. Këtë tani po e keqpërdor regjimi i Aleksandar Vuçiçit, i cili që po sjell artileri, trupa shtesë, sistem kundërajror kinez përbrenda këtij rripi 5-kilometërsh.