Kryeministri Albin Kurti, tha se “nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë ata që kanë letërnjoftime të Bosnjë-Herecegovinës”. Pavarësisht marrëveshjeve të arritura, qytetarët e të dyja vendeve, aktualisht duhet të pajisjen me viza për të lëvizur në vendet respektive.
Duke folur në samitin e Procesit të Berlinit, Kurti u shpreh se ky projekt ka sjellë përparim të rëndësishëm, por se duhen “edhe më shumë veprime”.
Ndërsa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ka qenë i pari në rajon që e ka ratifikuar në Parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, në mënyrë të njëanshme, do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e letërnjoftimeve të Bosnjë-Hercegovinës.
Synimi i samiteve të Procesit të Berlinit, të cilat mbahen çdo vit, është që gradualisht ta afrojnë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut më pranë BE-së. Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në Union.
Me ftesë të kancelarit të Gjermanisë, në këtë samit marrin pjesë drejtuesit e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut e Serbia, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, të përfshira në proces. Rezultatet e takimit do të prezantohen në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kancelari Scholz dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Scholz përgëzoi Kosovën për suksesin e saj në CEFTA dhe i bëri thirrje Serbisë e Kosovës që të kapërcejnë dallimet për të ardhmen e tyre europiane. Po ashtu, vlerësoi progresin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal.
“Eshtë 10-vjetori i Procesit të Berlinit, prandaj është mirë të jesh në Berlin me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor”. Kështu deklaroi sot presidentja e Komisionit Europin, Ursula von der Leyen.
Për të parë pas në rezultatet tona, por mbi të gjitha për të parë përpara. Drejt një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Bashkimit tonë.