Analisti Spartak Ngjela ka paralajmëruar se Kryeministri Albin Kurti rrezikon të humbë postin e tij nëse dështon në zgjidhjen e çështjes së urës së Ibrit. Në një intervistë për “Breaking” në “Top News”, Ngjela theksoi se një dështim i mundshëm në këtë çështje mund të shkaktojë tensione me përfaqësuesit amerikanë dhe të krijojë një konflikt të mundshëm me Serbinë.
Ngjela theksoi se, nëse Kurti nuk arrin të zgjidhë problemin, ai përballet me dy mundësi: ose do të arrijë të fitojë një kredo të madhe politike dhe të sigurojë qëndrueshmëri në post, ose do të humbasë pozitat e tij, duke mos qenë në gjendje të qëndrojë si Kryeministër dhe duke përballuar edhe një disfatë në zgjedhje. Ai gjithashtu paralajmëroi se konflikti me Presidenten e Kosovës, nëse ndodh, mund të kontribuojë në dështimin e Kurtit në këtë akt të rëndësishëm politik.
“Çfarë do të ndodhë nëse ngrihet tensioni dhe krijohet një konflikt ushtarak përsëri midis Serbisë dhe Kosovës. Dy gjëra janë, ose fiton Kurti me një kredo të madhe ose ikën posti i Kryeministrit. Sepse është një urë që do të kalojnë mjetet, se si e kanë organizuar problemin ekonomik, s’ka ç’na duhet, ne po flasim në terma të përgjithshme. I ka në favor të gjitha, por i ka dhe për zgjedhjet e ardhshme nëse e nxjerr, nëse nuk e nxjerr, jo vetëm që nuk fiton zgjedhjet, por nuk mund të rrijë dot as Kryeministër, sepse do të jetë në konflikt me Amerikën për një moment konkret, faji i të cilit është i atij. Ose do të jetë një sukses i aktit të tillë dhe meritën e merr ai. Kjo është politika, se çfarë do të ndodhë, nuk e di.
A do ta kalojë lehtë Kurti konfliktin me Presidenten kur ajo është kryetare e Shtetit? Jo, nuk e kalon dot. Atëherë, mund të jemi përballë një eventi të ri në Kosovë, në disfatë të kryeministrit Kurti, por vetëm nëse dështon në aktin që kërkon të marrë” tha Ngjela.