Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mosmarrëveshje por bashkëpunim të gjerë. Duke folur sot në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Prishtinë, Kurti u shpreh se me Maqedoninë e Veriut, Kosova jo vetëm ka partneritet përmes tregtisë por edhe “lidhjeve familjare e bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë”.
Më lejoni të filloj këtë takim duke theksuar një pikë të rëndësishme, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mosmarrëveshje. Kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Ne jemi fqinjë, miq dhe partnerë, të lidhur, jo vetëm përmes tregtisë, që është çdo herë në rritje, por edhe përmes lidhjeve mes familjeve e bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë.
Takimi i sotëm ka edhe rëndësi simbolike për shkak të 15-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve. Deri tani janë nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume që na kanë afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin.
Më herët, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti deklaroi se qeveria e Kosovës nuk duhet të qëndrojë në heshtje sa i përket shqetësimeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Para takimit të dy qeverive, sot në Prishtinë, Ahmeti i bën thirrje ekzekutivit kosovar që të flasë me kryeministrin maqedonas sa i përket problemeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Kreu i BDI-së shprehu shqetësim për mosrespektim të Marrëveshjes së Ohrit.
Jam drejtuar me një thirrje, me apel Qeverisë së Kosovës që shqetësimet e shqiptarëve të Maqedonisë t’ia komunikojnë… kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe kam apeluar për të gjitha partitë politike në Kosovë që të kenë konsideratë shqetësimet që i kanë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, mbi tentativat që bëhen për ndryshimin e Ligjit të gjuhës, ndryshimin e marrëveshjes, substancës marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe shpresoj që ky apel të shkojë deri në vesh të institucioneve shtetërore, por edhe deri tek udhëheqësit e partive politike në Kosovë që të mos jenë indiferent, sepse përpjekjet tona historike kanë qenë të përbashkëta, në drejtim të sigurimit të lirisë, ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe në drejtim të statusit politik dhe juridik të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë.