Rajoni

Kurti: Kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese!

Kryeministri Albin Kurti tha se kanë përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Europian për heqjen e masave kufizuese ndaj Kosovës. Ato u vendosën një vit më parë nga Komisioni Europian, si ndëshkim në lidhje me përshkallëzimin e situatës së sigurisë në veriun me shumicë serbe. Kurti foli gjatë mbledhjes së Këshillit Ministror për Integrimin Europian.

Javën e kaluar, BE-ja miratoi Planin e Rritjes Ekonomike në vlerë 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor, i cili ndër synimet ka edhe përshpejtimin e anëtarësimit të rajonit në bllok.

Masat në fuqi ndaj Kosovës, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në Planin e Rritjes e qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në. Në këtë kontekst, kemi përmbushur të gjitha kërkesat e Unionit për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: pezullimin e përkohshëm të grupeve të punës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mungesën e ftesës ndaj Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave bilaterale. Gjithashtu, u pezullua programimi i fondeve për Kosovën, që duhej të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë ndihmave që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë 2.1 miliardë euro. Në fund të prillit, disa burime diplomatike në BE i thanë Radios Evropa e Lirë se shumica e shteteve të Bllokut janë në favor të heqjes të të gjitha masave ndaj Kosovës, ndërsa një numër më i vogël i shteteve kërkon që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale.

Kundër heqjes së masave, sipas këtyre burimeve, nuk është shprehur asnjë vend anëtar i BE-së. Gjatë mbledhjes së Këshillit ministror, Kurti foli edhe për aspiratat e Kosovës që të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Ai tha se Prishtina është e gatshme që të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në bllok.

Besojmë që anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Si demokracia më e avancuar në rajon ne jemi të gatshëm t’iu përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga Komisioni Europian. Krahasuar me rajonin, Kosova është jo vetëm e gatshme për statusin kandidat, por edhe për të hapur negociatat dhe kapitujt e shumtë drejtë anëtarësimit. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është zgjedhje strategjike. Ne kemi bërë zgjedhje, ndaj Axhenda e Reformave Europiane në qeverinë tonë, që nga fillimi i mandatit është trajtuar me shumë seriozitet.

Më 15 dhjetor 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok.