Albin Kurti theksoi në një intervistë për televizionin e njohur të Katarit Al Jazeera se ka pranuar krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por vetëm si “paketë”
Kreu i ekzekutivit të Kosovës u shpreh se nuk është “kryeministër vetëm i shqiptarëve”, por i të gjithë komuniteteve etnike që jetojnë në Kosovë. I pyetur nëse i ka thënë “po” apo “jo” Asociacionit…, Kurti tha se e ka pranuar themelimin e tij, por në paketën e Marrëveshjes së Ohrit.
“Natyrisht, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është diçka që e kam trashëguar nga paraardhësit e mi. Sidoqoftë, kjo është pjesë e Marrëveshjes Bazike tani. Neni 7 thotë se ‘Komuniteti serb duhet të ketë vetëmenaxhim’.
Në anën tjetër, neni 10 thotë se “të gjitha marrëveshjet paraprake të nënshkruara duhet të zbatohen”. Pra, unë nuk po e mohoj, por vetëm nëse konsiderohet si pjesë e një pakete të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës me njohje reciproke”, theksoi ai.
Marrëveshja bazë mes dy vendeve, që përfshin dhe detyrimin për themelimin e bashkëisë së komunave me shumicë serbe, u arrit shkurtin e vitit të kaluar, por ajo ende nuk është vënë në jetë. Kosova dhe Serbia janë në negociata të ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve që prej vitit 2011.