Rajoni

Kurti dhe Vuçiç takohen sot në Bruksel!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, sot takohen në Bruksel për një raund të ri bisedimesh lidhur me normalizimin e marrëdhënieve. I pari takim mes tyre për këtë vit, zhvillohet në kohën kur janë drejt përfundimit të mandatit 5-vjeçar, zyrtarët europianë, të angazhuar në ndërmjetësimin e procesit.

Josep Borrell do të shërbejë si shef i diplomacisë europiane deri në vjeshtë, ndërsa javën e ardhshme pritet të mësohet se kush do ta pasojë. Mirosllav Lajçak u emërua ambasador i BE-së në Zvicër, por do të veprojë si ndërmjetës në dialog deri kur t’i gjendet zëvendësuesi.

Shpresojmë që të dy liderët të vijnë me vizionin e guximin e nevojshëm politik për ta çuar Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre europiane, shkroi Lajçak një ditë para takimit.

Me shumë mundësi, takimi do të jetë i fundit në kuadër të dialogut, nën organizimin e Borrellit. Në Bashkimin Europian nuk kanë pritshmëri të mëdha. Gjithçka që Unioni pret nga udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, është që ata ta konfirmojnë përkushtimin ndaj marrëveshjeve që kanë arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e arritur më 27 shkurt 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj, i arritur më 18 mars 2023, në Ohër, nuk i kanë firmat e Kurtit e Vuçiçit pasi presidenti i Serbisë e ka refuzuar një gjë të tillë.

Deri tani, asnjë palë nuk ka bërë lëvizje drejt zbatimit të ndonjë elementi të këtij akordi. Prishtina refuzon të punojë për zbatimin e Pikës 7 të akordit, referuar formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ndërsa Beogradi vazhdon të shkelë Nenin 4. Aty thuhet se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Pavarësisht mungesës së firmave, BE-ja këmbëngul se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët. Kurti dhe Vuçiç janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit të kaluar. Në atë takim u diskutua lidhur me zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve, por rezultoi i pasuksesshëm dhe ka përfunduar me akuzat e Kurtit se Lajçak “nuk është neutral”.

Dhjetë ditë më vonë ka ndodhur sulmi në Banjskë, fshat në veri të Kosovës e ku grupe të armatosura të serbëve kanë sulmuar policinë e Kosovës e vranë një polic. Në përleshjet e armatosura që pasuan u vranë dhe tre sulmues serbë.