Kursi i këmbimit të euros me lekun ka prekur një minimum të ri historik ditën e sotme. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 99.58 lekë, duke thyer lehtë rekordin e mëparshëm prej 99.6 lekësh që ishte arritur në datën 20 gusht të këtij viti.
Që prej muajit gusht, Banka e Shqipërisë duket se ka hequr dorë nga përpjekjet për ta mbajtur kursin sipër kufirit të 100 lekëve dhe kjo u ka hapur rrugën forcave të tregut që vazhdojnë ta tërheqin në rënie monedhën europiane.
Sipas agjentëve të këmbimit, prurjet e valutës në treg ngelen të qëndrueshme edhe pasi sezoni veror e ka kaluar momentin e pikut. Kjo konfirmon se në vitet e fundit dinamika e kursit të këmbimit ka ndryshuar dhe rënia e tij nuk lidhet më vetëm me efektin sezonal.
Një arsye mund të jetë shpërndarja në kohë e turizmit hyrës, që tashmë është më aq shumë e përqendruar vetëm në muajt e verës. Sidoqoftë, prurjet e larta valutore nuk duken të jenë të lidhura vetëm me turizmin, por edhe me investimet e mëdha nga jashtë në pasuri të paluajtshme.
Deri në mesin e këtij viti, statistikat tregojnë një rritje të deficitit të llogarisë korrente, por nga ana tjetër një vijimësi të rritjes së investimeve të huaja direkte.
Në tremujorin e dytë, deficiti i llogarisë korrente u ngushtua me 7.3% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, për të gjithë 6-mujorin e parë, deficiti i llogarisë korrente ngelet në vlerat më të larta që prej vitit 2020, me një vlerë totale prej 575 milion eurosh ose 53% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 749 milion euro, gjithashtu niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Vlera e investimeve të huaja direkte paraqitet në rritje me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në gjysmën e parë të këtij viti afërsisht një e katërta e vlerës së investimeve të huaja direkte shkuan në pasuri të paluajtshme. Vlera e investimeve të huaja direkte e ka tejkaluar me 30% vlerën e deficitit të llogarisë korrente.
Ndërkohë, edhe politika fiskale e qeverisë vazhdon të mbështesë forcimin e lekut, duke tkurrur ofertën e monedhës vendase në treg. Në fund të 7-mujorit, suficiti buxhetor arriti një rekord për periudhën, në vlerën e 55 miliardë lekëve, në rritje me 22% krahasuar me 7-mujorin e vitit të kaluar.