Kombëtarja shqiptare nisi sot përgatitjet për dy ndeshjet e vlefshme për Ligën e Kombeve ndaj Ukrainës (7 shtator) dhe Gjeorgjisë (10 shtator). Seanca stërvitore nisi në ora 17:45 dhe zgjati rreth 1 orë e 20 minuta.
Trajneri Silvinjo dhe stafi i tij teknik kanë punuar sot në fushën e Shtëpisë së Futbollit me një pjesë të lojtarëve, të cilët kanë mbërritur në grumbullim më herët pasi nuk kanë patur ndeshje ditën e diel.
Të pranishëm në seancën e sotme stërvitore ishin: Thomas Strakosha, Alen Sherri, Simon Simoni, Andi Hadroj, Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Ylber Ramadani, Sebastjan Spahiu, Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Rey Manaj, Taulant Seferi dhe Agim Zeka.
Grupi ka punuar fillimisht në palestër për të kaluar më pas në fushë, ku është punuar më shumë me topin, teksa skuadra zhvilloi edhe një test miqësor me ekipin U-21. Në ditët në vijim pritet që intensiteti i stërvitjes do të vijë gradualisht në rritje.
Ashtu siç e bëri me dije edhe trajneri Silvinjo në konferencën e sotme për media, lista e Kombëtares ka pësuar një ndryshim. Armando Broja nuk do të jetë pjesë e skuadrës për këto dy sfida për shkak të një problemi fizik dhe ekipit do t’i bashkohet mbrëmjen e sotme sulmuesi Myrto Uzuni. Edhe Jasir Asani, Mario Mitaj dhe Enea Mihaj do t’i bashkohem skuadrës ditën e nesërme.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Ukrainës në transfertë më 7 shtator 2024, në ora 20:45 në stadiumin “Epet Arena” të Çekisë, ndërsa tre ditë më vonë do të presë në shtëpi përfaqësuesen e Gjeorgjisë.