Bota

Kundër reformës gjyqësore në Meksikë, sulmohet Senati!

Protestues të shumtë sulmuan Senatin meksikan për të kundërshtuar planet për miratimin e një reforme gjyqësore të diskutueshme, e propozuar nga presidenti i vendit, Andrés Manuel López Obrador. Reformat e prezantuara nga populisti López Obrador përfshijnë zgjedhjen e drejtpërdrejtë të gjyqtarëve, përfshirë ata në Gjykatën e Lartë.

Sistemi gjyqësor nuk do të bjerë, thërrisnin demonstruesit ndërsa shprehnin kundërshtimin e tyre.

Rreth 1 mijë e 700 gjyqtarë federalë në Meksikë kanë qenë në grevë për gati tre javë, në shenjë proteste kundër reformës së propozuar. Mijëra punonjës të gjykatave i janë bashkuar grevës. Ndërkaq, Dhoma e Përfaqësuesve tashmë e ka miratuar reformën.

Kritikët e saj janë shumë të shqetësuar se nëse gjyqtarët zgjidhen nga populli, kartelet e fuqishme të drogës, të cilat kontrollojnë pjesë të mëdha të vendit dhe ndikojnë në sjelljen e votuesve, mund të fitojnë më shumë ndikim mbi gjyqësorin në Meksikë.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se kualifikimet profesionale të gjyqtarëve do të luanin një rol më të vogël dhe politika mund të ketë ndikim më të madh mbi gjyqësor si sistem. López Obrador, mandati i të cilit si drejtues i shtetit meksikan përfundon këtë muaj, pas gjashtë vjetësh në detyrë do të pasohet nga Claudia Sheinbaum, një aleate besnike që fitoi zgjedhjet presidenciale të muajit qershor. Sheinbaum pritet të vazhdojë politikat e mentorit të saj.