Aktualitet

Kundër ligjit për të qëndruar disa vite në Shqipëri, studentët e mjekësisë dorëzojnë ‘padi’ në GJEDNJ!

Studentët e mjekësisë kanë dorëzuar një padi pranë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut lidhur me ligjin që i detyron ata që të rrinë disa vite pas studimeve në sistemin shqiptar të mjekësisë.

Në padinë e përpiluar prej disa studentëve, thuhet mes të tjerash se “skema e tillë e punës së detyrueshme e hartuar nga ligji i kundërshtuar ndryshon thelbësisht nga nocioni i “rezidencës” e cila është një kërkesë rregullative për të qenë në gjendje për të marrë licencën dhe për të punuar ojë si mjek”.

Sa më tej ata shkruajnë se “gjatë seancës dëgjimore, avokati i Këshillit të Ministrave pranoi se studentët në nevojë financiare që përfitonin ndihmë sociale, nuk kishin të drejtë zgjedhjeje”.

Ata kërkojnë që kjo çështje të shqyrtohet edhe nga kjo gjykatë, pasi sipas tyre nuk janë dakord me vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese, e cila mori për bazë pjesërisht kërkesat e tyre.

Gjykata Kushtetuese pezulloi në mesin e nëntorit të kaluar zbatimin e ligjit për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë, i cili kushtëzon punësimin e tyre disa vite brenda vendit, para se të marrin diplomën e studimeve.

Ligji u prit me protesta të gjata prej studentëve dhe me bojkotim të vitit akademik për disa javë para dhe pas miratimit të tij nga shumica socialiste në korrik.

Ligji parashikon dy vjet punësim të detyruar brenda Shqipërisë për studentët e vitit të peshtë dhe gjashtë, 3 vite punësim brenda vendit për studentët e vitit të dytë deri vitin e katërt, si dhe 5 vite punësim në Shqipëri pas diplomimit për studentët e vitit të parë.

Ky ligji i detyron studentët të nënshkruajnë për këto kushte një marrëveshje në fillim të vitit akademik, ose në të kundërt, ata duhet të paguajnë tarifat e parashikuara nga universiteti për ndjekjen e studimeve.

Për qeverinë kjo është një përpjekje për të frenuar largimin e mjekëve të rinj nga Shqipëria, por për studentët kjo masë e re është shkelje e të drejtave njerëzore dhe kushtetuese, ndaj kërkuan një gjykim nga Gjykata Kushtetuese.