Aktualitet

Kultivuan kanabis, 5 në pranga në Peqin!

Kultivuan 150 rrënjë kanabis rreth banesës në fshatin Vashaj të Peqinit, vendosen në pranga pesë persona. Autorët e identifikuar nga policia janë shtetasit Skënder Bashvogli  e Rodolf Bashvogli (baba e bir), si dhe Kadri Shega 58 vjeç, Miklovan Shega 34 e Ervin Shega (babai, djali dhe nipi). Ata akuzohen për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjatë kontrolleve të kryera, efektivët e policisë sekuestruan kanabis në proces tharjeje e po lëndë narkotike kanabis të ndarë në doza, si dhe 2.600.000 lekë të rinj, 3890 euro e 6770 paund të dyshuara si përfituara nga kjo veprimtari kriminale e një armë të ftohtë (thikë).

Njoftimi i policisë:

Sektori për Hetimin e Narkotikëve i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan në kuadër të një procedimi penal të ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, bazuar në informacionet e grumbulluara si rezultat i hetimit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të Forcës Operacionale të DVP Elbasan, dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Tiranë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor antidrogë të koduar “Vashaj”.

Në kuadër të këtij operacioni në fshatin Vashaj, Peqin, u goditën 2 raste të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, raste për të cilat u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:

– Skënder Bashvogli  62 vjeç dhe Rodolf Bashvogli 23 vjeç (babë e bir), pasi gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve dhe përreth saj janë gjetur 150 bimë narkotike shumica të kultivuara në tokë dhe një pjesë e bimëve në proces tharjeje, një sasi kanabisi gati për shitje, 2.600.000 lekë të rinj, 3890 euro dhe 6770 paund, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale dhe 1 thikë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;

– Kadri Shega 58 vjeç, Miklovan Shega 34 vjeç dhe Ervin Shega 19 vjeç (babë e bir dhe nipi), pasi në ambientet rreth banesës së shtetasit K. Sh., janë gjetur disa bimë kanabis në proces tharjeje, si dhe një sasi kanabis gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.