Aktualitet Lajmet e fundit

Kultivonin e shisnin cannabis, 4 në pranga në Shkodër!

Kultivonin lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa dhe e shisnin në doza, katër të arrestuar në Shkodër, mes tyre edhe organizatori i grupit. Në kuadër të operacionit të koduar “Rrethinat”, uniformat blu sekuestruan një sasi lënde narkotike, si dhe një automjet tip “Mitsubishi”, me të cilin lëviznin të arrestuarit e po ashtu, celularët e tyre. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. Të prangosurit janë të moshave 23, 40, 41 e 43 vjeç.

Njoftimi zyrtar i Policisë Shkodër:

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Rrethinat”. Në kuadër të këtij operacioni u kapën në flagrancë, në  vendin e quajtur “Ura e Bardhajve”, me lëndë narkotike Cannabis Sativa, me vete dhe në automjet, shtetasit N. L., 43 vjeç, P. L., 41 vjeç, B.B., 23 vjeç dhe D. K., 40 vjeç, të katërt banues në Shkodër.

Nga hetimet dyshohet se këta 4 shtetas, në formën e grupit të organizuar nga 43-vjeçari, ishin të implikuar në veprimtaritë kriminale të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së Cannabisit. Gjithashtu, dyshohet se shtetasi N. L. pastron paratë/produktet e përfituara nga këto veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.