Një shtetas 30-vjeçar i shpallur në kërkim u arrestua në Vlorë pasi në bashkëpunim me dy persona të tjerë, të vënë në pranga në muajin qershor të këtij viti, gjatë operacionit policor të koduar “Forest”, ka kultivuar 320 bimë narkotike në territorin e fshatit Trevllazër.
Policia e Vlorës njofton se u bë e mundur kapja dhe ndalimi i 30-vjeçarit, banues në qytetin bregdetar jugor, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 2 tetor 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Informacioni i DVP-së Vlorë:
Kapet nga shërbimet e Forcës Operacionale, një 30-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Forest”, i dyshuar si bashkëpunëtor në kultivimin e 320 bimëve narkotike në fshatin Trevllazër.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike, kanë intensifikuar kërkimet për kapjen e tij.
Si rezultat i këtyre veprimeve, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit R.H., 30 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 02.10.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ky shtetas akuzohet se në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, të vënë në pranga nga Policia e Vlorës, në muajin qershor, gjatë operacionit të koduar “Forest”, ka kultivuar 320 bimë narkotike në territorin e fshatit Trevllazër.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.