Teksa shijojmë natyrën, detin, ushqimin, shumë prej nesh na lind dëshira të ndajmë pak nga këto momente edhe në “Instagram” apo rrjete të tjera. Ai fustani elegant plot ngjyra, e meritonte një post apo jo?
Por, përveç pushimeve, janë edhe personazhet që rrjetet sociale i shohin si punë apo mjet për të promovuar profesionin e tyre. Kështu ndodh me këngëtarët që ndajnë me fansat suksesin e një sezoni të ngjeshur me koncerte apo blogerëve që përditshmërinë e tyre e pasqyrojnë on line. Terra Data Analitics ka studiuar profilet e 621 personazhe të njohur shqiptarë në “Instagram”, të cilët kishin 1389 postime gjatë muajit gusht. Mes tyre, janë 15 personazhe që kryesojnë listën, si më të ndjekurit gjatë muajit të nxehtë që lamë pas.
Në vend të parë qëndron këngëtari Luiz Ejlli. Me mbi 617 mijë ndjekës, Luizi grumbulloi 1 milionë e 892 mijë “reactions” (reagime) në “Instagram”. Ndonëse një ditë më parë, Luizi vetë njoftoi se profili i tij nuk është më i verifikuar dhe “tick-u” blu është “zhdukur”, faqja e tij vazhdon të rritet dita ditës. Suksesin në “Instagram” gjatë gushtit e përjetoi edhe partnerja e tij, Kiara Tito. Edhe pse më një rënie të lehtë, ajo qëndron në vend të tretë, me mbi 974 mijë “reaction”.
Në vend të dytë të listës së publikuar nga Terra Data Analitics qëndron Gashi. Këngëtari numëron mbi 1.5 milion ndjekës në rrjetet sociale dhe gjatë gushtit grumbulloi mbi 999 mijë “reactions”. Futbollisti Granit Xhaka qëndron në vendin e katërt. Pas tij vjen këngëtari Ylli Limani, që përveç postimeve për karrierën, kujdeset që profili i tij të jetë i mbushur me humor me pozitivitet.
Përkushtimin më të madh për “Instagramin” e tij e ka hoxhë Ahmet Kalaja, i cili vetëm gjatë gushtit ka bërë 210 postime. Pas tij, me një kontent të ngjashëm është edhe hoxhë Elvis Naçi. Në listën e personazheve më të ndjekur qëndrojnë këngëtarët Noizy, Morena Taraku, Azet, Kida dhe Fero. Po ashtu moderatorët Bora Zemani dhe Blendi Fevziu, që kanë postuar vazhdimisht momente nga udhëtimet dhe pushimet verore, si dhe kampioni Florian Marku. /TCH