Një vit pas arrestimit të tij në Athinë, Kujtim Demiri është ekstraduar dje në Shqipëri. Shqiptari, i dënuar me 15 vite burg në mungesë për trafikim fëmijësh, është sjellë në Tiranë dhe tani do të vuajë dënimin e tij.
Demiri, i akuzuar zyrtarisht në vitin 2010 për marrjen dhe trafikimin e një fëmije nga Shqipëria drejt Greqisë, i kishte dhënë familjes së të miturit H.S. 100 mijë lekë të reja në atë kohë. Ai e kishte detyruar djalin të lypte në rrugët e Athinës me dhunë.
Ngjarja ishte raportuar pranë autoriteteve shqiptare, dhe për shkak të rëndësisë së veprës së trafikimit ndërkombëtar të fëmijëve, Gjykata për Krimet e Rënda, tani Gjykata e Posaçme, e dënoi Demirin me 15 vite burg.
Në vitin 2018, Demiri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana dhe u arrestua vetëm vitin e kaluar. Pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore, ai është ekstraduar dje në Tiranë përmes Interpol.
Fëmija, i cili ishte vetëm 8 vjeç në atë kohë, u ble nga Demiri dhe u detyrua të lypte për vite të tëra. Megjithëse familja më vonë pretendoi se kishte dhënë djalin për të bërë punë sezonale dhe jo për të lypur, i mituri ka përjetuar dhunë të vazhdueshme për të lypur.
Familja e varfër nga Tirana e kishte shitur djalin për 1 milionë lekë të vjetra ose 100 mijë lekë të reja. Në mënyrë të paligjshme dhe nën dhunë, i mituri është transportuar nga Shqipëria drejt kufirit grek.
Kur Departamenti i Kërkimeve të Sigurimit të Atikës mori informacion për praninë e Demirit në Athinë, mobilizoi menjëherë rrjetin e informatorëve për gjetjen e tij. Ai u lokalizua në Patisia dhe arrestohet nga policia pa asnjë rezistencë.