Aktualitet Politikë

“Kujt i thua rrugaç ti…”- Debate me tone të larta mes Plarent Ndrecës dhe Albana Vokshit!

Edhe sot Komisoni Hetimor për Shëndetësinë ka vijuar me përplasje të ashpra mes kryetares Albana Vokshi dhe nënkryetarit Plarent Ndreca.

Fillimisht opozita nuk u lejua nga Garda që të hynte në sallë dhe mbledhja kishte nisur pa deputetët e opozitës. Përplasjet nisën kur Vokshi hyri në sallë dhe i fiku tre herë mikrofonin Ndrecës duke mos e lejuar që të flasë.

Ajo kërkoi të ndalen punimet e Komisionit pasi deputetët demokratë, që janë anëtarë dhe për të cilët ka një vendim përjashtimi nga Sekretariati i Etikës pasi dogjën karriget e Kuvendit, u ndaluan nga Garda e Republikës që të hynin aty.

Pjesë nga debati:

Albana Vokshi:  Kush je ti mo, nuk je kryetar këtu dhe nuk e drejton këtë komision, unë te dera dhe ti guxon të fillosh mbledhjen.

Plarent Ndreca:  Një njeri normal nuk i bën këto. Mbylle atë mikrofon dhe të të vijë turp.

Albana Vokshi:  Të të vijë turp ty dhe gjithë deputetëve që nisin mbledhjen, kur kolegët rrinë të dera.

Plarent Ndreca:  Do ulesh të drejtosh mbledhjen apo të vijoj. Mos u sill si e fortë. Do sillesh si kryetare.

Albana Vokshi:  Në vend se të mbroni kolegët…

Plarent Ndreca:  Kolegët që hedhin molotov nuk i mbrojmë ne

Albana Vokshi:  Do jesh i pari që do e hash! Ti do të jesh i dyti në radhë të shkosh aty ku ka shkuar Ilir Beqaj

Më pas u përsëritën skenat e ditës së djeshme, ku Vokshi u përplas verbalisht me Plarent Ndrecën, pasi në cilësinë e kryetares ajo kërkoi largimin nga salla të zyrtarit që do të merrej në pyetje për çështjen që është objekt hetimi i komisionit.

Vokshi i kërkoi dëshmitarit Gentian Opre të dalë nga salla. Pas refuzimit, ajo kërkoi ndihmën e Gardës, por megjithatë Garda nuk ndërhyri.

Pasi Deputeti i PS, Ardian Ndreca u shpreh se “nuk punoj me njerëz që sillen si rrugaçe”, Vokshi i hodhi në dysheme mikrofonin.

Debati:

Albana Vokshi: Kujt i thua rrugaç ti?

Plarent Ndreca: Nuk thashë rrugaç, thashë njerëz që sillen si rrugaçë.

Ilir Metaj: Sekretaria njofton një ambulancë, situata është emergjente

Plarent Ndreca: Na lini të bëjmë mbledhjen

Ilir Metaj: Je deformuar frikshëm për të qenë grua, mbushu me frymë

Albana Vokshi: Ki kujdes me ato që thua

Ilir Metaj: Ke nevojë për trajtim të thelluar, dështimi i protestës të ka marrë jashtëzakonisht keq.

Albana Vokshi: Vetëm mesazhin e parë keni marrë nga protesta

Ilir Metaj: Qetesohu se je grua

Albana Vokshi: Sa me preke ti me këto, ty të njeh e gjithë Vlora!