Nënat e ardhshme të cilat vuajnë nga pagjumësia e shpeshtë kanë shanse më të mëdha që të lindin para kohe, ka treguar një hulumtim i ri. Te gratë shtatzëna të cilat vuajnë nga pagjumësia, është i pranishëm rreziku për lindje të parakohshme, tregojnë të dhënat e grumbulluara nga 2.625 të intervistuara.
Hulumtimet kanë treguar se si gratë shtatzëna me pagjumësi apo me ndonjë çrregullim tjetër i cili ndikon në cilësinë e gjumit, për shembull me apne, lindin para javës së 37-të të shtatzënisë në 14,6 % të rasteve. Te pjesëmarrëset e tjera përqindja e lindjes para javës së 37-të të shtatzënisë është 10,9 %.
Analiza plotësuese të të intervistuarave të cilat kanë lindur para javës së 34-të të shtatzënisë ka treguar rrezikun dyfish më të madh te shtatzënat me pagjumësi apo apne. Rezultatet e hulumtimit janë botuar në revistën Obstretics & Gynecology.
Rikujtojmë se, valët e të nxehtit rrisin shkallën e lindjeve të parakohshme, gjë që mund të çojë në rezultate më të këqija shëndetësore për foshnjat dhe të ndikojë në shëndetin e tyre afatgjatë, sugjeron një studim i ri. Nënat afrikano-amerikane dhe latine, si dhe ato në grupe më të ulëta socio-ekonomike, janë veçanërisht të rrezikuara për të lindur herët pas valëve të të nxehtit.
Ngjarjet e të nxehtit ekstrem po ndodhin më shpesh, zgjasin më shumë dhe rriten në intensitet për shkak të krizës klimatike. Viti i kaluar pati temperatura rekord dhe korriku 2023 solli ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë për katër ditë radhazi në botë. Për më tepër, gratë shtatzëna janë ndër më të ndjeshmet ndaj stresit të nxehtësisë dhe kanë më shumë gjasa të përjetojnë goditje nga nxehtësia dhe lodhje nga nxehtësia. Kjo mund të ndikojë negativisht në fëmijën e tyre të palindur.