Aktualitet Fol

Kufizimi maksimal i lirisë me dënimin e përjetshëm, Gjyqtari Antikorrupsion: “Ligjvënësi dhe gjyqësori nuk mund të jenë dot të verbër…”

Burgu i grave në Shqipëri po diskutohet që të mbyllet dhe të kthehet në burg të hapur, ku do dërgohen shtetas të dënuar në gjysëm liri, pra ata qytetarë të gjendur fajtorë nga gjykatat, që ditën largohen për të punuar dhe në darkë kthehen në qeli. Por ngelet e paqartë se si do të  vihet në zbatim një dënim i tillë për shtetas që vendin e banimit dhe punën nuk  e kanë në Tiranë. Zyrtarisht pranohet se 9-fishi i shtetasve të dënuar po e vuajnë dënimin jashtë burgut me dënime alternative, detyrim paraqitje, punë me interes publik dhe liri me kusht. Të tillë janë 10 360 persona. Ndërsa në burg mbahen si të dënuar të formës së prerë 1724 persona. 2891 të tjerë kanë statusin e të paraburgosurit dhe prezumohen të pafajshëm gjersa gjykatat të flasin.

Pavarësisht ligjit që parashikon gjysëm lirinë, në pesë vjet u aplikua një dënim i tillë vetëm për 97 persona. Kjo shifër e ulët raportohet për shkak të mungesës së një institucioni në sistemin penitenciar. Ndërkohë që ky lloj dënimi ju vjen në ndihmë të dënuarve që po arsimohen, dikujt që ndjek një terapi apo ka përgjegjësi familjare dhe kryhet për krime jo më të larta se një vit burg.

Në episodin e radhës në podcastin “Fol me Anila Hoxhën” ka qenë i ftuar Florjan Kalaja, Gjyqtar Apeli për korrupsionin dhe krimin e organizuar për të folur mbi qëndrimet e gjykatave dhe risitë e ligjit mbas reformës në drejtësi dhe jo vetëm kaq.

 Pjesë nga intervista: 

Anila Hoxha: Në botimin më të fundit ku jeni autor i librit “Lirimi me Kusht”, ju keni hedhur teza dhe këndvështrime shumë interesante, përsa i takon qasjes së drejtësisë me qytetarët dhe dënimet që jep. Një ndër to, dënimi i përjetshëm, një kartë shumë e fortë. Pse keni dalë në rezultatin ku ngrini pikëpyetje, sa i takon qëndrimit ekstrem të Shqipërisë apo drejtësisë shqiptare ndaj qytetarëve  që dënohen me burgim të përjetshëm? Sepse, ideja jonë në publik është kjo, që dikush që dënohet me burgim të përjetshëm nuk duhet të ketë asnjë mundësi dhe asnjë shans dhe ai duhet të dalë pa jetë nga qelia, të paktën kështu ka ndodhur në shumë raste. Përjashtuar raste, për të cilët individë të njohur kanë fituar nga mjekësia ligjore dhe ata kanë shpëtuar me dënime të ulëta apo kanë fituar edhe nga drejtësia vitet e fundit. 

Florjan Kalaja: Jam shumë i zhgënjyer nga mënyra sesi Kodi Penal i trajton këto çështje kaq të rëndësishme, kufizimin më maksimal të lirisë pas shfuqizimit të dënimit me vdekje, në vitin 1997, pas ratifikimit të Konventës Europiane, Për të drejtat e njeriut, prej Gjykatës Kushtetuese, që u shfuqizua edhe në Kodin Penal dhe në Kodin Penal Ushtarak. Sot, ne kemi vetëm një dënim që është edhe dënimi më i rëndë që është dënimi me “burgim të përjetshëm”. Konkluzioni që unë arrij në libër është që, mënyra sesi ne e kemi konceptuar dënimin me burgim të përjetshëm, jo në momentin apo jo në përmasat e tij, si dënim që caktohet rishtazi dhe jo këtu, po mënyra sesi ne kemi konceptuar zbatimin e tij, ekzekutimin e këtij lloj dënimi, e bën vetë dënimin  me “burgim të përjetshëm”, të papajtueshëm me Kushtetutën. Për dy arsye:  çështja “Vinter dhe të tjerë”  kundra Mbretërisë së Bashkuar, vendimi i 17 gjyqtarëve i Dhomës së Madhe gjer në vitin 2012, që konkludon që privimi i çdo lloj shprese apo detyrimi me ligj i një individi që të jap frymën e fundit në burg për gjithë jetën dhe t’a vuajë në burg gjithë jetën e tij, duke i mohuar dhe duke i nënvlerësuar çdo lloj ndryshim që i ndodh në  personalitetin e tij përgjatë vuajtjes së ekzekutimit të dënimit me burgim të përjetshëm përbën trajtim çnjerëzor për individin, e para. E dyta, edhe në rastet kur ne e parashikojmë në nenin 65 të Kodit Penal që për vepra penale të cilat janë dënuar me burgim të përjetshëm lejohet lirimi me kusht për këto raste. Ne, në vitin 2013 kemi parashikuar që periudha e detyrueshme e vuajtjes  së dënimit me burgim të përjetshëm, për efektet të lindjes së të drejtës për të kërkuar lirimin me kusht për të dënuarit është në masën 35 vjet burgim.

Anila Hoxha: Ndoshta kaq konsiderohet ajo fasha kohore që ndihmon lirinë e të dënuarit për t’u rehabilituar?

Florjan Kalaja: Kthejmë vëmendjen tek jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut. Hungaria ka patur shumë çështje në Gjykatën e Strasburgut sepse këtë masën që ne kemi 35 vjet burgim, Hungaria e ka 40 vjet. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka pasjellë një konkluzion pasi bën këtë studimin e të gjithë kodeve penale në Europë, konkludon që ka një konsensus në Europë që kjo periudhë nuk duhet të jetë më shumë se 25 vjet burgim. Ne nuk mundemi që duke qenë se kemi patur disa vendime të gabuara t’a mohojmë për të gjithë të dënuarit me burgim të përjetshëm mundësinë për të kërkuar shqyrtimin apo rishqyrtimin periodik të vendimeve të tyre sepse ne nuk mund të nisemi nga premisa që është gabuar me këtë dhe hajde ta heqim fare si institut. Sepse kjo është “politika e moratoriumit” nuk shkon me drejtësinë, nuk ka gjëra fare të përbashkëta mesazhi që unë dua të jap. Është që në raste kur konstatohet që ka ndryshime të rëndësishme, ka ndryshime thelbësore në mënyrën sesi zhvillohet personaliteti i të dënuarit gjatë fazës së ekzekutimit të dënimit, ligjvënësi dhe gjyqësori nuk mund të jenë dot të verbër.