Thirrjet për të pezulluar zhvillimin e inteligjencës artificiale nuk do të zgjidhin sfidat. Këtë ka pohuar së fundmi bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates. Gates deklaroi se do të ishte më mirë të përqendroheshim në mënyrën më të mirë të përdorimit të zhvillimeve në Inteligjencë Artificiale. Intervista e tij me Reuters vjen pasi një letër e hapur që u publikua javën e kaluar dhe u nënshkrua nga Elon Musk dhe më shumë se 1,000 ekspertë të AI-s kërkoi një pauzë urgjente në zhvillimin e sistemeve të AI-s.
Ekspertët, duke përfshirë bashkëthemeluesin e Apple, Steve Wozniak, thanë në letër se rreziqet dhe përfitimet e mundshme për shoqërinë duhet të vlerësohen. Bill tha se:
Unë nuk mendoj t’i kërkosh ndonjë grupi të caktuar të ndalojë këtë zhvillim sepse nuk mund t’i zgjidh sfidat. Është e qartë se nga këto gjëra kemi përfitime të mëdha, ajo që duhet të bëjmë është të identifikojmë zonat e ndërlikuara.
Në letrën e tij, Gates ngre gjithashtu mundësinë që inteligjenca artificiale të fillojë të mendojë vetë, një nga frikërat më të mëdha kur zhvillon teknologjinë. Ai beson se AI-të më të avancuara ndoshta do të jenë në gjendje të vendosin objektivat e tyre. Miliarderi i teknologjisë beson se ChatGPT, një chatbot që jep përgjigje të habitshme të ngjashme me njeriun ndaj pyetjeve të përdoruesve, është po aq i rëndësishëm sa shpikja e internetit.
ChatGPT, i zhvilluar nga firma amerikane OpenAI dhe i mbështetur nga Microsoft Corp është vlerësuar si aplikacioni me rritjen më të shpejtë në histori. Ndërsa sa vjen e bëhet më e qartë se Inteligjenca Artificiale po tejkalon limitet, ndër të tjera mund të zëvendësojë rreth 300 milion vende pune me orar të plotë. Kjo thuhet në një raport të bankës Goldman Sachs. Sipas gjetjeve në dokument, “përparimi teknologjik do të mbulojë çerekun e detyrave të punonjësve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Europë”.