Epo edhe kjo nuk ishte parë ndonjëherë! Ndeshja e fundit e Mike Tyson u zhvillua jashtë ringut. Legjenda e boksit, u bë pjesë e një incidenti gjatë fluturimit të mërkurën me një pasagjer “agresiv” për të cilin ai pretendoi se po e ngacmonte në një fluturim JetBlue nga Aeroporti Ndërkombëtar i San Franciskos. Një përfaqësues i Tyson në një deklaratë i tha PEOPLE:
Fatkeqësisht, zoti Tyson pati një incident gjatë një fluturim me një pasagjer agresiv, i cili filloi ta ngacmonte dhe i hodhi një shishe me ujë teksa ishte në vendin e tij.
Në pamjet e siguruara nga TMZ, Tyson mund të shihet duke grushtuar vazhdimisht burrin, i cili më vonë mori kujdes mjekësor dhe shkoi në polici. Gazeta raporton se boksieri doli nga aeroplani ende i fiksuar disa sekonda pas sherrit të ndodhur.
Departamenti i Policisë së San Franciskos (SFPD) i tha PEOPLE se personi që u godit nga Tyson pavarësisht se siguroi detaje të incidentit, refuzoi të bashkëpunonte më tej me hetuesit e policisë. Tani ata të dy janë në pritje të hetimeve të mëtejshme. Gjatë kohës së incidentit, Tyson ishte drejtuar në Konferencën Benzinga Cannabis Capital në Miami, ku ai është renditur si folësi kryesor pasi lançoi markën e tij të kanabisit Tyson 2.0 vitin e kaluar.
Tyson është përballur edhe më parë me veprime ligjore të ndërmarra për raste dhune, duke përfshirë vuajtjen e tre viteve burg pasi u dënua për përdhunimin e 18-vjeçares Desiree Washington në 1992. Ai ka pohuar që nga ajo kohë se takimi i tyre seksual ishte konsensual. Ish-kampioni i peshave të rënda kreu nëntë muaj të tjerë burg në 1999 pasi sulmoi dy shoferë pas një aksidenti. Ai u arrestua sërish në vitin 2009 pas një sherri me një fotograf në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Anxhelosit, megjithëse nuk u ngrit asnjë akuzë.
Tyson ndoshta njihet dhe është bërë më i famshëm për kafshimin e një pjese të veshit të djathtë të Evander Holyfield gjatë ndeshjes së tyre të boksit në 1997-ën, për të cilën ai u skualifikua më pas dhe u ndalua përkohësisht nga boksi, përveç përballjes me një gjobë prej 3 milionë dollarësh.