Aktualitet

Kuçovë, dy viktima dhe një e plagosur në aksident/Makina përplasi një mjet bujqësor!

Aksidentet vazhdojnë të përgjakin rrugët shqiptare. Dy viktima dhe një e plagosur në Kuçovë. Rreth orës 06:00 të mëngjesit, një makinë përplasi një mjet bujqësor me drejtues një të moshuar e ku ndodheshin edhe gruaja e vajza e tyre. Për pasojë humbën jetën 81 vjeçari e bashkëshortja 77 vjeçe ndërsa 58 vjeçarja u dërgua në spital, ku ndodhet jashtë rreziku për jetën.

Grupi hetimor në vendngjarje po punon për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e shkakut të aksidentit, më i fundit që shkakton viktima në rrugët tona. Po ashtu, në njoftimin zyrtar thuhet se në komisariatin policor u bë shoqërimi i drejtuesit të makinës për të tjera veprime procedurale.

Berat/Informacion paraprak 

Rreth orës 06:00, në vendin e quajtur “Rruga e drejtë e Kuçovës”, automjeti me drejtues shtetasin A. K. është përplasur me mjetin bujqësor (frezë dore), në të cilën ndodheshin drejtuesi, shtetasi A. K., 81 vjeç, bashkëshortja e tij shtetasja S.K., 77 vjeçe dhe vajza e tyre, shtetasja F.B., 58 vjeçe.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit bujqësor, shtetasi A. K., dhe bashkëshortja e tij, shtetasja F.K., kanë humbur jetën në vendngjarje, ndërsa shtetasja F.B. ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.