Rajoni

“Kthema adresën!”, shqiptarët e Luginës së Preshevës sërish në protestë!

Me thirrjen “Kthema adresën!”, shqiptarët e Luginës së Preshevës sot protestuan për të tretën herë brenda pak muajve, kundër atyre që i quajnë “veprime diskriminuese të autoriteteve serbe ndaj pakicës shqiptare në Serbi”. Protestuesit u mblodhën para stacionit policor në Medvegjë. Në Serbi jetojnë më shumë se 60 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në vitin 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se “merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh”. Në përbërje të saj janë Presheva, Medvegja e Bujanoci, komuna me shumicë shqiptare, në jug të Serbisë

Në protestën e sotme mori pjesë i vetmi deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, si edhe kryetarja e komunës Preshevë, Ardita Sinani e pjesëtarë të Këshillit Kombëtar Shqiptar, organ përfaqësues i pakicës shqiptare në Serbi. Kur është pyetur për të komentuar protestat e mëparshme, presidenti Aleksander Vuçiç u shpreh:

Askush nuk po i rreh, nuk po i ngacmon apo diçka tjetër. Serbia është shtet demokratik dhe ne do të vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë.

Kërkesat kryesore

Në protestat e mbajtura fillimisht në Bujanoc e më pas në Preshevë u bë thirrje për njohje të diplomave të Kosovës, për integrim në institucionet shtetërore të Serbisë, për lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe për zgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve nga adresat ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe e rrjedhimisht, të të gjitha të drejtave civile, përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, sigurim shëndetësor e pension, si edhe për t’u punësuar.

Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji përcakton që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar. Nëse vërtetohet që një banor nuk jeton në atë adresë, merret vendimi për pasivizimin e saj dhe personi detyrohet të regjistrojë adresën e re brenda tetë ditëve, pas pranimit të vendimit.

Ndonëse ligji njeh të drejtën për apelim, qytetarët ankohen se në disa raste, as nuk kanë mundur të ankohen ndaj vendimit, pasi nuk janë informuar në kohë për pasivizimin. Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, i vitit 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si “pengje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Në thelb, çështja e pasivizimit të adresave është formë e spastrimit etnik nëpërmjet metodave administrative.

Banorët e Luginës së Preshevës e drejtues të komunave atje, disa herë kanë kërkuar që të ketë prani të mekanizmave ndërkombëtarë, që t’iu monitorohen kushtet e jetesës. Ata kanë akuzuar përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar në Beograd për mosreagim ndaj trajtimit që iu bëhet.

Mungesa e investimeve dhe barrierat e vazhdueshme besohet se kanë ndikuar në largimin e rreth 20 mijë shqiptarëve nga ky rajon, kryesisht drejt shtetit të Kosovës.