Rikthehen në atdhe, disa prej pjesëtarëve të misionit shqiptar që shkuan në Turqi për të asistuar mbrojtjen civile në operacionet e kërkim-shpëtimit, pas tërmeteve shkatërrimtarë që goditën këtë vend dhe Sirinë. Deri tani janë mbi 41 mijë viktima, bilanc i destinuar të rëndohet për fat të keq, si pasojë e lëkundjeve apokaliptike. 12 pjesëtarë e përfunduan misionin e tyre në Malatya të Turqisë. Lajmin e dha Konsullata e Përgjithshme në Stamboll, ndërsa publikoi dhe foton e anëtarëve të grupit që ndihmuan për nxjerrjen nga rrënojat të personave të cilët u goditën nga tërmetet.
Niset për në Shqipëri një pjesë e grupit të cilët përfunduan misionin e tyre në Malatya. Falenderime në ceremoninë e përcjelljes nga Zyra e Presidencës Turke, Zyra e Ministrisë së Jashtme dhe Zyra e Guvernatorit të Stambollit. Falënderime nga zemra për kontributin: Sarah Hadëri, Marjola Qatipi, Tom Perkeqi, Mustafa Ahmetaj, Drini Mullai, Zyhdi Tarja, Armando Doçe, Nebi Muçaj, Taner Akdamar, Bujar Rapo, Shkëlzen Shatri, Mirsad Basha.
Skuadra e parë shqiptare e kërkim-shpëtimit dhe ndihmës shëndetësore me mbi 50 specialistë, shkoi në Turqi më 7 shkurt.
Tjetër mrekulli në gërmadhat e tërmeteve të 6 shkurtit në Turqi e Siri. Një grua 77-vjeçe u shpëtua pas 212 orësh nën rrënoja. E moshuara u gjet në rajonin juglindor turk, AdÕyaman. Në një bilanc ende provizor, janë mbi 41 mijë viktimat e lëkundjeve shkatërrimtare në zonën mes Turqisë e Sirisë.
Një ekip spanjoll që u përfshi në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi denoncoi se pas tërmetit, ndërtesat shemben pa përfunduar më parë rikuperimin e të mbijetuarve, pra me njerëz brenda. Anëtarë të ekipit nga Spanja veçuan rastin e Adiyamanit, një prej më të goditurve nga lëkundjet. Ata sollën shembullin e një godine me 180 banorë, 10 prej të cilëve u shpëtuan.
Një teknologji e projektuar nga NASA u aplikua pas tërmeteve shkatërruese në Turqi dhe Siri për të ndihmuar lokalizimin e të bllokuarve nën rrënoja. Agjencia hapësinore tha se grupeve të shpëtimit në Turqi iu dërgua një teknologji e ashtuquajtur “spinoff” e NASA-s që mund të zbulojë njerëzit e bllokuar nën rrënoja nga SpecOps Group i Floridës.