Bota

Kthehej drejt Londrës, pasagjerët presin me fishkëllima ish-kryeministrin Johnson!

Periudha post-Truss, Boris Johnson mori fluturimin drejt Londrës ku i ndodhi e papritura, u prit me fishkëllima nga pasagjerët në një avion të kompanisë ajrore, British Airways. Ish-shefi i qeverisë së Londrës, i cili nuk e ka fshehur ambicien për të rimarrë postin, po kthehej nga Republika Domenikane. Nëse ia del, atij i duhet të përballet me rivalitetin e Rishi Sunak-ut, i cili siguroi mbështetjen e 100 konservatorëve për të hyrë si kandidat në garën për t’u bërë kryetar i tyre dhe kryeministër i Britanisë.

Rishi Sunak tentoi edhe më herët, por humbi përballë Liz Truss-it. Deri të hënën e ardhshme, pra pas dy ditësh, politikanët që duan t’i hyjnë garës për kryeministër të Britanisë së Madhe, duhet të fitojnë mbështetjen e 100 anëtarëve në Partinë Konservatore. Afati përfundimtar është ora 14:00 e datës 24 tetor.

Për analistët e çështjeve politike, një rikthim i mundshëm i Boris Johnsonit, nuk ka dyshime se do të ishte një rikuperim i figurës së tij, ndërsa u detyrua të largohej, i goditur nga një sërë skandalesh të natyrës etike, duke mbrojtur bashkëpunëtorë në telashe, si dhe mori pjesë në festa kur për britanikët ndaloheshin për shkak të kufizimeve nga masat anti-COVID, që nuk lejonin grumbullime.

Ndërkohë, kundërshtarët kanë argumentuar se nëse Johsonit i jepet edhe një shans për të drejtuar kabinetin qeveritar, kjo mund të çojë në më shumë kontestime e zhgënjim mes qytetarëve.

Kriza politike në Britani vjen në kohën e dobësimit të rritjes ekonomike dhe të sfidave të mëdha pas rritjes së çmimeve të ushqimeve, karburanteve e të tjerë artikujve bazikë.

Liz Truss dha dorëheqje të enjten pas 45 ditësh në postin e kryeministres. Ajo tha se nuk mund të zbatonte paketën e saj ekonomike, që përfshinte shkurtimin e taksave dhe u detyrua që të jepte dorëheqje, pasi me politikat e ndërmarra shkaktoi trazira në tregjet financiare.