Sot në seancë publike, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi dhënien e mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë, qarku Vlorë, Vangjel Tavo, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Bashkisë Himarë të datës 4 gusht 2024.
Vangjel Tavo merr kështu zyrtarisht mandatin nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, gjë që i hap rrugë edhe betimit të tij në Këshillin Bashkiak të Himarës. Opozita ankimoi rezultatin e Himarës por pretendimet e saj u rrëzuan.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi në fund të gushtit kërkesën e Partisë Demokratike për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve të pjesshme të 4 gushtit në Himarë. Më herët edhe Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimin e koalicionit Bashkë Fitojmë.
Vangjel Tavo i PS-së, fitoi zgjedhjet e pjesshme të 4 gushtit në një garë ku u rivalizua nga Petro Gjikuria si kandidat i opozitës. Tavo tha se fituan himariotët dhe deklaroi se Gjikuria është i mirëpritur si nënkryetar i bashkisë. Ai mori mbi 5 mijë vota, pra 58.62% kundrejt më shumë se 3 mijë e 500 të Gjikurisë, 41.38%. Pjesëmarrja ishte 37.69% referuar KQZ-së.
Sot fitoi Himara, fituan himariotët. Na besuan vijimësinë e mandatit 2023. Që sot nisim punën për të gjithë atë që iu kemi premtuar banorëve. Problemet nuk kanë ngjyrë e as Himara nuk ka ngjyrë. Fillojmë nga puna, të gjithë për Himarën e bashkuar pa probleme dhe të qetë. Festë nuk ka, ne do të vazhdojmë nga puna. Prioritet do të jetë turizmi. Oferta ka qenë e sinqertë, Gjikuria i mirëpritur për nënkryetar. Të them të drejtën e prisja fitoren me 1200- 1300 vota.
6 mijë zgjedhës në Himarë nuk e ushtruan dot të drejtën për të votuar për shkak se karta e tyre e identifikimit kishte skaduar. Për shifrën që u konfirmua nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deputeti demokrat Flamur Noka tha se “Celibashi e pohoi me gojë që në Shqipëri kush fiton e vendos Rama”.