Politikë

Kryetari i PD-së zgjidhet më 13 qershor, Basha rikandidon!

Partia Demokratike hap garën për kreun e ri. Më 13 qershor, demokratët do të votojnë për drejtuesin e Selisë Blu. Propozimi i Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi u miratua në Kryesi, si dhe u konfirmua në Këshillin Kombëtar. Gjithashtu, Këshilli miratoi vendimin e Kryesisë lidhur me përbërjen e Komisionit të Zgjedhjeve.

Pas humbjes në zgjedhje, Lulzim Bashës po i kërkohet të tërhiqet por ai nuk do të largohet e madje kërkon rikonfirmim në krye të partisë.

Në mbledhjen e Kryesisë, deklaroi:

Në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet çuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 prillin. Nëse zgjedhjet e 25 prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizimit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizimit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë!

Por për Bujar Nishanin, “kjo është vetëm gjysma e së vërtetës”.

Gjysma tjetër, po aq e hidhur është dështimi ynë për të fituar, çka përbën pjesën tonë të përgjegjësisë.

Ish-presidenti Nishani, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së është mes atyre që kërkon dorëheqjen e parevokueshme të Bashës, sipas tij, si “një shërbim që Basha ka për detyrim t’i bëjë Partisë Demokratike”.

Pasi nuk fituam dot këto zgjedhje, na duhet të reflektojmë fort, të ndryshojmë katërcipërisht, të reformohemi tërësisht, të ringrihemi fuqimisht, të rritemi masivisht e vetëm kështu do të jemi gati të fitojmë! Ky është momenti! E vetmja alternativë është nisja e një projekti të ri politik!

Përballë kreut aktual, kandidon Fatbardh Kadilli.

Sido që të jetë gara, sado e pabarabartë, sado jashtë standarteve të mundshme për të bërë një garë korrekte, jam i vendosur t’i qëndroj deri në fund projektit për një PD të pastër, të bashkuar, të hapur e fituese. Duhet t’i japim sot shpresë të gjithë shqiptarëve, se nesër do kemi një PD më të madhe se kryetari!

Deri më 22 maj bëhet paraqitja e kërkesës për kandidim nga ata që përmbushin kriteret. Më pas i hapet rruga fushatës nga 24 maj deri më 11 qershor. Më 13 qershor zgjedhjet zhvillohen sipas parimit “Një anëtar, një votë”.