Aktualitet Politikë

Kryeprokurori Çela te Ligjet: Nuk ka problematika me Kodin Penal, shqetësim procedura penale!

Numri një i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, tha sot se nuk ka informacion që ka problematika me Kodin Penal, por sipas tij, shqetësim mbetet procedura penale. Kryeprokurori Çela, sot ishte i pranishëm në Komisionin parlamentar për Çështjet Ligjore ku prezantoi raportin e vitit të kaluar për kriminalitetin. Ai vuri në dukje se nuk janë evidentuar probleme me mungesa të veprave penale, por me procedurën.

Nga lindi nevoja për një kod të ri penal? Të jepen argumente nga kushdo që ka nevojë. Çfarë kërkojmë me një kod të ri penal? Duhet një debat i madh publik. Duhet të diskutohen se si do të jenë raportet me ashpërsimin apo lehtësimin me disa masa penale. Do të jetë kod që do ketë fleksibilitet për masa alternative? Cilat do jenë modelet? Nuk kam informacion se kodi penal aktual po krijon vështirësi në funksionimin e shtetit, shoqërisë. Atëherë do të bëjmë kod nga asgjëja? Pa asnjë bazë? 38% e prokurorëve i mungojnë sistemit. Thelbi që kemi është për çështjet që lidhen me procedurën penale.

Kemi nevojë të shohim se çfarë nuk shkon me procedurën penale. Duhet nga ana juaj të dëgjohen propozimet tona për procedurën penale. Nuk ka dalë askush i pandëshkuar falë Kodit Penal.

Në diskutimet për Kodin Penal duhet parë dhe si do trajtohen veprat penale të narkotikëve, apo drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit. Kemi tendencë të kriminalizojmë shoqërinë me masa represive. Duhet të identifikojmë problemet, 10, 20 etj., dhe meriton debat të madh shoqëror, publik. S’duhet polarizuar debati, pasi instinkti i parë është për të qenë represiv, që cenon marrëdhëniet mes individëve. Ka mënyra të tjera, problem sot  mbetet funksionimi i të gjitha strukturave shtetërore të drejtësisë penale.

Kryeprokurori Olsian Çela theksoi më tej edhe se është i nevojshëm ndryshimi i ligjit për sistemin e vlerësimit të prokurorëve në vendin tonë. Lidhur me bilancin e vitit të kaluar, kryeprokurori Çela raportoi edhe se u përgjuan mbi 2 mijë e 600 telefona e se përgjimet zbuluan po ashtu 6 raste të korrupsionit në zgjedhje.