Puna dhe sfidat e vitit të kaluar, prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela raportoi në KLP, Këshillin e Lartë të Prokurorisë për punën dhe sfidat përgjatë vitit 2023. Çela theksoi se ishte një vit sfidues për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të çështjeve administrative dhe procedurale që lidheshin me zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe vijimit të uljes së numrit të prokurorëve si pasojë e pezullimit apo shkarkimit gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar.
Përgjatë vitit 2023 vlerësoj se janë arritur rezultate në një sërë objektivash në fokusin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, kjo në sajë edhe të masave administrative dhe procedurale institucionale, siç janë miratimi i udhëzimeve të përgjithshme dhe planeve të veprimit për të vijuar unifikimin e veprimtarisë së prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre.
Kujdes i veçantë i është kushtuar vijimit të zbatimit të akteve të përbashkëta me institucione e agjenci ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe miratimit të marrëveshjeve të reja për të rritur efektivitetin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Prokurori i Përgjithshëm u ndal dhe në masat e marra për ndjekjen e objektivave prioritare institucionale në luftën kundër kriminalitetit.
Më 2023-shin, pavarësisht arritjeve, prokuroritë vijojnë të përballen me sfida dhe problematika në menaxhimin e ngarkesës së lartë të punës por edhe në nivelin jo të kënaqshëm të koordinimit dhe rolit aktiv të drejtuesve në nxjerrjen e udhëzimeve jo të detyrueshme për çështje konkrete dhe marrjes së masave të plota administrative dhe/ose procedurale për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme dhe rekomandimeve të rezolutës, rekomandimeve prioritare, detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit dhe më pas në mbikëqyrjen apo ndjekjen efektive të tyre.
Një problem konstant për drejtuesit mbetet organizimi dhe mbikëqyrja e punës së oficerëve të policisë gjyqësore, ku duhet theksuar se roli i tyre është i zbehtë dhe pasiv, ndërkohë që janë siguruar instrumente ndihmëse shtesë për të siguruar një efikasitet më të lartë të seksioneve të policisë gjyqësore. Këtu do të veçoja sistemin e ri të raportimit të veprimeve hetimore të oficerëve të policisë gjyqësore, nga i cili kanë rezultuar probleme të ndryshme në mënyrën si funksionojnë seksionet, si p.sh. në lidhje me shpërndarjen e ngarkesës së punës apo volumin e veprimeve hetimore të kryera. Roli pasiv i drejtuesve në këtë aspekt ndikon në performancën e zyrave që ata drejtojnë dhe ndihet nevojë për një qasje më dinamike prej tyre në të ardhmen.
Nisur edhe nga ankesat e qytetarëve, Prokurori i Përgjithshëm theksoi se rezulton se në një masë relativisht të ndjeshme duhet përmirësuar cilësia e komunikimit me qytetarët në drejtim të dhënies së informacionit të kërkuar prej tyre në kuadër të hetimeve penale.
Te një pjesë e prokurorive, sipas Prokurorit të Përgjithshëm, ka nevojë për një aplikim më efikas të udhëzimit mbi zbatimin e nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale dhe trajtimin e referimeve të tjera që dukshëm nuk përmbajnë elementë të ndonjë vepre penale, që ndikon në uljen e ngarkesës së punës.
Nisur edhe nga gjetjet e inspektimit të kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë sa i përket zbatimit të udhëzimit “Mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, informimin, transparencën dhe garantimin e pavarësisë në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm (i ndryshuar)”, i kërkuar ky nga Prokurori i Përgjithshëm, shfaqet nevoja që në tërësi drejtuesit dhe prokurorët të ndjekin më me përpikëri zbatimin e tij, në kuadër të garantimit të transparencës së marrëdhënieve brenda prokurorive por edhe në drejtim të evidentimit më të mirë të cilësisë së punës së magjistratëve, që do t’i shërbente edhe procesit të vlerësimit.
Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar 55 253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9.4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45 715 procedime penale, që përbëjnë një ulje prej 5.2 % në krahasim me vitin 2022, nga të cilat 24 095 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 6.2 % në krahasim me vitin 2022 dhe 201 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 70 % në krahasim me vitin 2022. Janë mbartur 21 011 procedime penale me një ulje prej 3.9 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2022. Është vendosur mosfillimi për 9946 referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një ulje prej 22.2 % në krahasim me vitin 2022.
Janë përfunduar 23 419 çështje që përbën ulje prej 9.41 % të çështjeve të përfunduara krahasuar me vitin 2022, prej të cilave: 41.21 % janë dërguar për gjykim, 25.76 % janë pushuar, 30.04 % janë pezulluar dhe 2.99 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.
Janë dërguar në gjykatë 9 652 çështje me akuzë ndaj 11 401 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2022 rezulton një ulje prej 12.13 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 11.87 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë. Raporti ndërmjet çështjeve dërguar në gjykatë dhe çështjeve të pushuara është 61.54 % me 38.46 %.
Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2023 janë dënuar 7254 të pandehur që krahasuar me vitin 2022 përbën ulje 31.22 % të numrit të pandehurve të dënuar, dhe për 199 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose për 2.67 %.
Kjo tregon, sipas Kryeprokurorit Çela, se ka tendencë në ulje të numrit të procedimeve të regjistruara, ndërsa vlerësoi se në këtë ulje ka pasur ndikim edhe memorandumi i bashkëpunimit me Policinë e Shtetit.