Rajoni

Kryeparlamentari Gashi: Integrimi i MV në BE kërkon dialog dhe mbështetje!

Integrimi i shpejtë i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, BE, mbetet prioriteti ynë si shtet, por edhe i përfaqësuesve të partive politike shqiptare. Kjo theksohet në një intervistë për Radion Evropa e Lirë nga kryetari i ri i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. Sipas zyrtarit të lartë, për këtë nevojitet dialogu me të gjitha palët, si brenda ashtu edhe jashtë vendit e para së gjithash me shtetet fqinje.

Në lidhje me ndryshimet kushtetuese, aq të nevojshme për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës së vendit, nevojiten dy të tretat e votave. Për to, Gashi shprehet i bindur se partitë që do të formojnë Qeverinë e re do të arrijnë t’i sigurojnë dhe më pas pritet që të ketë një debat “për të hequr nga tryeza këtë problem politik”.

Po ashtu, shprehet se me hapjen e ndryshimeve kushtetuese do të angazhohet që të zgjidhet edhe statusi i gjuhës shqipe në Kushtetutë, e cila përkufizohet si gjuhë e “vetëm 20%” të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Ndër të tjera, në intervistën për REL-in reagoi edhe ndaj pohimeve të partisë E Majta, e cila akuzoi koalicionin VLEN dhe VMRO-DPMNE-në për “kosovarizimin” e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.

Mendoj se fjalori që u përdor atë ditë ishte më shumë një performancë teatrale për ngritje të tensioneve dhe tërheqje të vëmendjes, tha Gashi. Nuk mund të kërkosh vota nga të gjitha komunitetet dhe pastaj të thirresh në legjitimitetin e shqiptarëve, vuri si në dukje në lidhje me pohimet e Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI-së se është shkelur legjitimiteti i votës shqiptare.

Gashi tha se si drejtues i Kuvendit do të jetë i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë dhe se do të respektojë të gjitha qëndrimet e tyre. Kjo me qëllim forcimin e demokracisë parlamentare në vend.