Bota

Kryen “tradhti të lartë”, Arabia Saudite ekzekuton tre ushtarë

Arabia Saudite ekzekutoi sot tre ushtarë, të cilët u dënuan me akuzën për “tradhti të lartë” dhe “bashkëpunim me armikun”, sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjykimin ndaj tyre e zhvilloi një gjykatë e posaçme. Autoritetet saudite nuk treguan se me cilin “armik” kishin bashkëpunuar ushtarët e dënuar por bënë të ditur se ekzekutimi u krye në një provincë që gjendet në kufi me Jemenin e ku Arabia Saudite është në luftë prej 6 vitesh me rebelët Huthi të mbështetur nga Irani.

Arabia Saudite është kritikuar për respektimin e të drejtave të njeriut, që prej vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, në Konsullatën e Riadit në Stamboll. Grupet për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International, i kanë bërë thirrje të ndalojë dënimin me vdekje, duke theksuar se të dënuarit i nënshtrohen torturave dhe gjyqeve të padrejta.

Arabia Saudite hedh poshtë këto akuza. Vitin e kaluar, në këtë vend u ekzekutuan 27 persona, numër dukshëm më i vogël krahasuar me 2019-ën kur ishin ekzekutuar 185 vetë, referuar të dhënave zyrtare.