Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari, vendi që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian deri në fund të vitit. Rama u prit në takim nga homologu hungarez, Victor Orban.
Pjesë e delegacionit zyrtar shqiptar janë ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, si dhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike e Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.
Pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve të bashkëpunimit mes dy vendeve, një prej tyre në sektorin e bujqësisë.
Një ditë më parë, Shqipëria dhe Turqia nënshkruan tre marrëveshje të rëndësishme në bujqësi, arsim e media, gjatë vizitës në Tiranë të presidentit turk Erdogan.
Një ndër marrëveshjet e nënshkruara mes Turqisë dhe Shqipërisë është deklarata e synimit mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi të mbështetur nga shteti midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë, e cila u firmos nga Anila Denaj, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ibrahim Yumakli, ministër i Bujqësisë dhe Pylltarisë.
Marrëveshja tjetër e firmosur është protokolli ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri. Kjo marrëveshje u firmos nga për palën shqiptare nga Ogerta Manastirliu, ministër i Arsimit dhe Sportit dhe për palën turke nga Erol Ozvar, President i Kryesisë së Këshillit të Arsimit të Lartë e Republikës së Turqisë.
Po ashtu, mes dy vendeve u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Media dhe Informim të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin. Për palën shqiptare memorandumi u firmos Alteo Hysi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Media dhe Informim dhe për palën turke Fahrettin Altun, Drejtor i Komunikimit të Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë.
Pas takimit në Kryeministri, shefi i qeverisë Rama dhe Erdogan firmosën deklaratën e përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik, përmes krijimit të një këshilli bashkëpunimi të një niveli të lartë.
Turqia u zotua t’i dhurojë Shqipërisë dronë kamikazë ndërsa Erdogan porositi vendin tonë, të vazhdojë luftën kundër FETO-s që e cilëson “organizatë terroriste”. Për dronët, Rama u shpreh:
E çmoj dhuratën e presidentit Erdogan në këto kohë të trazuara ku bota ka marrë një drejtim të çuditshëm për ta thënë me një fjalë të butë, për t’i dhënë ushtrisë së Shqipërisë, një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë. Dhuratë që s’duhet të shqetësojë askënd se kë do godasë Shqipëria. Por, besoj se është një dhuratë që përmbledh brenda një mesazh të qartë të Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme.
Ndërkaq, në deklaratën për shtyp, kryeministri Rama dhe kryetari i shtetit turk, Erdogan u ndanë për Izraelin, të cilin Erdogan e dënoi. Shefi i ekzekutivit deklaroi se “jemi kundër Hamasit”. Më vonë, ata morën pjesë në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë.