Kryeministri Edi Rama uroi Donald Trump-in, për atë që e quajti “fitore të jashtëzakonshme” në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një mesazh urimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se mezi pret privilegjin e madh të punojë me Presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm.
Ishte një nder i vërtetë të punoja së bashku me Presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen midis dy vendeve tona. Mezi pres privilegjin e madh të punoj me Presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm, shkruan Rama në mesazhin e urimit.
Donald Trump mbajti fjalimin e fitores para mbështetësve në Palm Beach. Ndërsa ecën i sigurt drejt marrjes së drejtimit të Shtëpisë së Bardhë pasi ka 267 nga 270 vota elektorale kundrejt 214 të rivales Kamala Harris, republikani tha se nuk kishte rrugë tjetër veç fitores. Ai u shpreh se është presidenti i 47-të i Amerikës e shtoi se kanë shkruar historinë. Me hartën zgjedhore të skuqur nga epërsia republikane, Trump tha se është një epokë e artë për Amerikën dhe popullin.
Unë do t’ju bëj krenar për votën tuaj. Le të ndihmojmë vendin tonë që të shërohet. Do të luftoj çdo ditë për ju dhe familjet tuaja. Një fitore politike që vendi ynë nuk e ka parë më parë. Filloi epoka e artë e Amerikës dhe e popullit amerikan. Amerikën do ta bëjmë të madhe përsëri.
Edhe pse rezultatet ende nuk janë zyrtare, nuk ka më dyshime se Donald Trump ka mundur zv.presidenten Kamala Harris në një fitore mahnitëse, duke i dhënë atij një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Që nga koha e Grover Cleveland-it, në vitin 1892, Trump pritet të jetë presidenti i parë që do të shërbejë dy mandate jo të njëpasnjëshme dhe vetëm i dyti në histori. Për herë të parë u zgjodh president në vitin 2016 duke mposhtur ish-sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton dhe duke u zotuar për ta bërë Amerikën përsëri të madhe.
Gazeta e njohur amerikane “New York Times” ishte ndër të parat që shkroi se gjasat e Trump-it për fitore rriten në 78%. Modeli që vlerëson rezultatin e garës në kohë reale bazuar në sondazhet, votat e numëruara dhe pritshmëritë për ato që ende nuk janë numëruar, parashikoi 293 Zgjedhës të Mëdhenj për manjatin e 245 për Harris-in.