Aktualitet

Kryeministri Rama kritika BE-së!

Nga Kongresi i Socialistëve dhe Demokratëve Europianë në Berlin, kryeministri Rama kritikoi BE-në për mungesë ndihme kur Irani ndërmori sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë.

Ne u përballëm me një sulm shumë të rëndë nga Republika Islamike e Iranit, në përpjekje për të fshirë krejt të dhënat tona e për të shkatërruar tërësisht sistemet tona të shërbimeve, të ofruara në internet. Pra, ata goditën në një pjesë shumë strategjike të funksioneve tona të përditshme. Arsyeja lidhet me faktin që Shqipëria strehon disa mijëra pjesëtarë të opozitës iraniane. Edhe pse sulmi nuk ia doli të fshinte të dhënat, ne ia dolëm që të rikthenim sistemet në punë. Megjithatë, e dini! Morëm disa deklarata solidariteti, çka është gjë e mirë, por deri tani, nuk po shohim më shumë se kaq. Nuk dua që ta kthej në histori financimesh, por ka të bëjë edhe me financimet. Kur vjen pjesa për botën kibernetike, mendoj që duhet të përballemi edhe me të tjera, jo vetëm Shqipëria, por edhe të tjerë. Më duket krejt surreale që Europa, ende nuk ka një sistem të përbashkët të të dhënave e një sistem të përbashkët reagimi, kur vjen fjala për sigurinë.

Ndër të tjera, kryeministri Rama i kërkoi Europës që për krizën energjetike, të mos lërë jashtë vëmendjes vendet kandidate.

Kriza e energjisë nuk është pandemia, por është e ngjashme kur vjen fjala për fuqinë goditëse që mund të trazojë komunitetin europian. Unë shpresoj që nuk do të ndodhë sërish, që cilado zgjidhje të gjendet brenda BE-së, sidoqoftë, BE të zgjedhë të mbrojë vendet anëtare për të përballuar këtë goditje të stërmadhe, ne nuk do të lihemi sërish jashtë.

Pas pjesëmarrjes në kongresin e PES-së në Berlin, kryeministri Rama informon se javën që vjen nis dialogu në bashkitë e vendit. Në rrjetet sociale shkruan:

Të bashkuar, jo të ndarë për përballjen me inflacionin e luftës, mbrojtjen e familjeve e bizneseve nga rritja e çmimit të energjisë, buxhetin e ri 2023 dhe mburojën sociale të vitit të ardhshëm, për të djathtën e rublave medoemos, si edhe për ecurinë e qeverisjes vendore së bashku me ambiciet e mandatit të ri për bashkitë.