Aktualitet

Kryeministri Rama mbërrin në Forumin e Paqes në Paris!

Kryeministri Edi Rama ndodhet në kryeqytetin e Francës, për të marrë pjesë në edicionin e 6-të të Forumit të Paqes në Paris. Ky forum mbledh liderët botërorë për të diskutuar çështjet më të nxehta, mes të cilave paqja në Lindjen e Mesme ku konflikti që vijon në Rripin e Gazës mbetet çështja më kryesore.

Pjesëmarrjen Rama e njoftoi disa ditë më parë në një reagim për konfliktin në Gazë ku mbështeti thirrjen e presidentit amerikan Biden për armëpushim humanitar.

Ndërsa qëndrojmë me vendosmëri me Izraelin kundër Hamasit, ne jemi gjithashtu shumë të shqetësuar për vuajtjet e civilëve dhe shkatërrimin në Gaza. Është thelbësore t’i jepet fund këtij konflikti përpara se ai të përshkallëzohet më tej dhe të dalë jashtë kontrollit. Shqipëria mbështet thirrjen e Presidentit Biden për një pauzë humanitare në armiqësitë. Në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm, Liga Arabe dhe Turqia duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Pas krimeve të tmerrshme të kryera më 7 tetor, nuk mund të ketë të ardhme politike për Hamasin. Sipas një mandati të OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Liga Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar një kalim të përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi te Autoriteti Palestinez. Së shpejti do të bashkohem me liderët e tjerë botërorë në Forumin e Paqes në Paris, ku do të diskutojmë mënyrat për rivendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Në një tjetër deklaratë ditën e djeshme në vigjilje të Forumit të Paqes në Paris 2023, shefi i qeverisë Rama bëri të ditur se do t’i bashkohet udhëheqësve të tjerë botërorë në Paris, për të diskutuar mënyrat se si mund të ndihmohet popullsia civile dhe me shpresë se mund t’i jepet fund konfliktit në Gaza. Kryeministri u shpreh:

Si një anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por më e rëndësishme akoma si një vend multi-fetar paqësor dhe paqedashës, Shqipëria është tejet e shqetësuar për konfliktin në vazhdim dhe vuajtjet e tejzgjatura të Gazës.

Kryeministri Edi Rama, po ashtu ritheksoi qëndrimin se Shqipëria qëndron e palëkundur me Izraelin kundër Hamasit.