Aktualitet

Kryeministri Rama: Librat falas, mbështetje direkte për familjet

Këtë vit, më shumë se 238 mijë nxënës do të përfitojnë libra falas, falë një buxheti prej mbi 9 milion dollarësh të akorduar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Sot në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ndau  momente nga shpërndarja e librave falas, nismë që synon të lehtësojë barrën financiare për mijëra familje shqiptare.

Me mirënjohjen e prindërve dhe gëzimin e fëmijëve që këto ditë të fundit para fillimit të vitit të ri shkollor po marrin librat falas, falë financimit të qeverisë me një mbështetje direkte për familjet.

Nga ana e tyre, prindërit vlerësojnë se nisma e dhënies së librave falas është një lehtësim për buxhetet e tyre familjare.

Jam prind i dy fëmijëve binjakë e përtej misionit tim si mësuese, sot kam ardhur në rolin e prindit për të bërë tërheqjen e librave. Falënderojmë për nismën që është marrë për librat falas sepse është një lehtësim i madh për buxhetin tonë familjar.

Po falë kësaj iniciative janë 12 mijë e 500 nxënës të gjimnazeve që gjithashtu marrin librat falas. Një nënë u shpreh:

Jam e kënaqur pasi im shoq gëzon statusin e kemp-it dhe të tre fëmijët çdo vit i kanë marrë librat falas. I kam ruajtur e çdo vit i kam sjellë që t’i marrë dikush.

Janë rreth 227 mijë nxënës nga klasa I deri në klasën IX që do të pajisen me tekste falas e afro 12 mijë e 500 nxënës nga klasa e dhjetë deri në të dymbëdhjetën që i përkasin kategorive të caktuara, të cilët përfitojnë mbështetje për tekstet falas.

Ky program i mbështetjes së librave falas është i fokusuar për nxënësit që vijnë nga familje me problematika sociale dhe ekonomike, si dhe ata që kanë nevojë për mbështetje të veçantë, përfshirë fëmijët me aftësi ndryshe e ata nga minoritetet.

Shpërndarja e librave do të vazhdojë sipas një grafiku të caktuar në koordinim me mësuesit dhe prindërit, duke siguruar që të gjithë nxënësit të mund t’i marrin tekstet e tyre në kohë.