Bota

Kryeministri japonez Fumio Kishida paralajmëron dorëheqjen!

Kryeministri japonez Fumio Kishida tha se do të japë dorëheqjen muajin e ardhshëm, pas pakënaqësisë publike lidhur me skandalet politike dhe rritjen e kostove të jetesës. “Politika nuk mund të funksionojë pa besimin publik. E mora këtë vendim të vështirë duke menduar për qytetarët, dhe me vullnetin e fortë për të shtyrë përpara reformën politike”, tha kryeministri në një konferencë për shtyp, teksa njoftoi vendimin se nuk do të rikandidojë për postin e kreut të partisë liberal demokrate.

Partia e tij do të mbajë zgjedhje për liderin e ri në muajin shtator. Mbështetjet për Kishidën filluan të binin me shpejtësi pasi ai mori detyrën në 2021-shin, si pasojë e zbulimeve mbi lidhjet e partisë LDP me Kishën kontroverse të Unifikimit. Popullariteti i kryeministrit mori një goditje tjetër pas daljes në dritë të donacioneve të paregjistruara politike në emër të LDP.