Aktualitet

Kryeministri i ri britanik diskuton me Ramën për marrëveshjen me Italinë, zbardhen detajet nga takimi në Oksford!

Samiti i liderëve evropianë në Oksford në pallatin Blenheim, vendlindjen e udhëheqësit britanik të kohës së Luftës së Dytë Botërore, Uinston Churchill, pati në qendër të takimeve dhe diskutimeve çështjet e sigurisë dhe migracionit, ku kjo e fundit nuk u cilësua më “sfidë”, sesa “krizë”.

Në takimin për çështjen e emigracionit, mediat raportojnë se Kryeministri i ri laburist Sir Keir Starmer ka takuar në margjinat e tij gjatë një bisede joformale, ka folur me kryeministrin Edi Rama, për protokollin e nënshkruar së fundmi mes Italisë dhe Shqipërisë për hapjen e qendrave të refugjatëve në territorin shqiptar.

Sipas një zëdhënësi të Downing Street të cilin e citojnë mediat, dy liderët kanë folur për çështjet e sigurisë, përfshi edhe imigracionin në veçanti, zgjedhjet inovative si ajo e partneritetit Itali-Shqipëri. Sipas mediave britanike, Starmer dhe Rama kanë rënë dakord të vazhdojnë të forcojnë marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Media britanike i ka kushtuar vëmendje veshjes sportive të kryeministrit Rama me atlete në këtë takim ndryshe nga të gjithë liderët e tjerë në këtë Samit më të madhin në territorin britanik të kaq shumë udhëheqësve evropianë sidomos pas Brexitit.

Kryeministri Rama është takuar bashkë me kryeministren italiane Meloni edhe me Mbretin Charles. Padyshim Britania ka mjaft interes në bashkëpunimin evropian për çështjet e emigracionit, dhe padyshim marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë shihet me interes si e tillë. Por konkretisht se çfarë kanë diskutuar dhe deri ku kanë shkuar bisedimet mes kryeministrit britanik dhe atij shqiptar për nga vetë natyra sekrete e këtyre takimeve, mbetet ende e paqartë për publikun.

Në konferencën për shtyp pas takimit kryeministri britanik përmendi marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë e cila është me interes për britanikët, por tha se ne duam ta luftojmë emigracionin në origjinë dhe marrëveshjet pa specifikuar se për çfarë marrëveshje konkretisht vijnë më pas dhe nuk pranoi të flasë se çfarë ka biseduar me liderë të ndryshëm evropianë.

Gjithsesi, për çështjen e qendrave të emigrantëve në territorin shqiptar, kryeministri Rama më parë ka deklaruar se Shqipëria nuk do pranojë një marrëveshje të tillë si ajo me Italinë, për Britaninë e Madhe.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Angli, aty ku ka takuar mbretin Charles, ndërsa shihet nën shoqërinë edhe të Melonit.

Liderët nga vende të ndryshme janë mbledhur për Komunitetin Politik Evropian (EPC) në Woodstock, Oxfordshire.

Siç duket edhe në foto, ata shihen të afërt dhe duke qeshur me njëri tjetrin, por nuk dihet biseda që kanë zhvilluar.

Takimi u thirr në mënyrë që të pranishmit të diskutojnë çështje që prekin Evropën në tërësi dhe të zhvillojnë takime dypalëshe apo diskutime në tryeza të rrumbullakëta.

Ndër çështjet kryesore që janë diskutuar përfshinë luftën në Ukrainë, sigurinë energjetike dhe migrimin.