Bota Rajoni

Kryeministri i Kosovës, Kurti: Tërheqja e Biden-it, fundi i një epoke!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se tërheqja e presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, nga gara për rizgjedhje, shënon “fundin e një epoke”. Në një postim në X, shkroi:

Bota e veçanërisht Kosova është një vend më i mirë dhe më i sigurt, për shkak të kontributeve të tij të jashtëzakonshme. Për këtë, ne do të jemi gjithmonë mirënjohës!

Kurti shtoi se “me dekada të tëra, Biden ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe mbështetësit më të palodhur të saj”.

Koha duket se është në anën e zv.presidentes amerikane, Kamala Harris sot, pasi një numër i madh ligjvënësish demokratë, guvernatorësh dhe dhuruesish financiarë shprehën mbështetjen e tyre që ajo të jetë kandidatja presidenciale e partisë në zgjedhjet e nëntorit, pasi presidenti Joe Biden shpalli vendimin për t’u tërhequr nga gara. Presidenti Biden pak pas njoftimit të befasishëm, dje i shprehu mbështetjen Harris-it si kandidate e partisë për t’u përballur me ish-presidentin Donald Trump, kandidatin e Partisë Republikane.

Harris, e cila është 59 vjeçe, njoftoi se do të kërkojë emërimin. Ajo ishte senatore nga shteti më i populluar i vendit, Kalifornia, kur Biden e zgjodhi në vitin 2020 si kandidate për postin e zv.presidentes. Vlerësimet rreth saj në anketat kombëtare kanë pasqyruar në masë të madhe ato për presidentin, por disa anketa të votuesve të mundshëm tregojnë se Harris qëndron pak më mirë se Biden përballë Trump-it e në disa, ajo ka dalë përpara ish-presidentit.

Harris deklaroi:

Unë do të bëj gjithçka që është në dorën time për të bashkuar Partinë Demokrate e për të bashkuar kombin tonë, për të mundur Donald Trump-in. Kemi 107 ditë deri në ditën e zgjedhjeve. Së bashku, ne do të luftojmë. Dhe së bashku do të fitojmë.

ActBlue, platforma kryesore e demokratëve për mbledhjen e fondeve njoftoi se ka mbledhur 46.7 milion dollarë në donacione të vogla për fushatën e Harris-it vetëm dje. Kjo e dhënë paraqet një ndryshim të madh krahasuar me javët e zbehjes së mbështetjes për Biden-in, sidomos midis dhuruesve kryesorë, pas paraqitjes së tij në një debat në fund të qershorit përballë rivalit Trump.

Shumë zyrtarë të lartë demokratë mbështetën Harris-in, përfshirë të paktën një anëtar të kabinetit Biden, Sekretarin e Transportit, Pete Buttigieg, i cili tha se do të bënte gjithçka që mundet, për të ndihmuar zgjedhjen e saj.

Nëse Kamala Harris zgjidhet nga partia për të zëvendësuar Biden-in, ajo do të ishte gruaja e parë, si dhe gruaja e parë afro-amerikane e me origjinë nga Azia Jugore si kandidate presidenciale në historinë 248-vjeçare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti Biden u shpreh se planifikon t’i drejtohet kombit lidhur me vendimin e tij, më vonë gjatë javës.