Rajoni

Kryeministri i Kosovës, Kurti: Hapja e urës së Ibrit nuk është kundër askujt!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se qeveria e tij synon hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe deklaroi se ky veprim nuk është kundër askujt. Këto deklarata i bëri një ditë pas takimit me ambasadorë të vendeve të QUINT-it në Prishtinë, si dhe me shefin e zyrës së Bashkimit Europian, me të cilët diskutoi mbi këtë çështje. Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia.

Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë.

Sipas Kurtit, hapja e urës i ndihmon të gjithë banorët e asaj zone, pa dallim etnie.

I ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin.

Shefi i qeverisë solli në vëmendje faktin se që para shumë vitesh, përgjithësisht, zyrtarë të Bashkimit Europian i janë referuar hapjes së urës për qarkullim si një “simbol i normalizimit”.

Kundër askujt, por për të gjithë, u shpreh ndër të tjera Kurti, kur përmendi nevojën e hapjes së urës.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim. Këtë komunë në veri të Kosovës me shumicë serbe e drejton Erden Atiç nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë. Madje, zyrtarë të këtij Kuvendi patën thënë se hapja e urës është dhe nën juridiksion të Mitrovicës së Jugut e të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, pati paralajmëruar në maj se ura “do të hapet shpejt” dhe se po diskutohet se si të bëhet kjo. Faktori ndërkombëtar po kërkon të ketë koordinim mes të gjitha palëve të prekura, që të mos përshkallëzohet situata.

Forcat italiane të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës beson se liria e lëvizjes duhet të sigurohet në të gjithë territorin, por Serbia e konsideron hapjen e urës si “provokim”.

Shqiptarët në Mitrovicën e Jugut dhe serbët në Mitrovicën e Veriut janë të ndarë për pjesën nëse ura duhet të hapet. Për shqiptarët, hapja e urës do të ishte “gjë e mençur” ndërsa për serbët, “vendim që rrit tensionet”.