Bota

Kryeministri hungarez kryen vizitën e papritur në Kinë pas takimit me Putin!

Pasi zemëroi disa krerë të Bashkimit Europian me takimin me presidentin rus, Vladimir Putin për një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë, kryeministri hungarez u nis për një vizitë surprizë drejt Kinës, nga ku u lëshuan apele të ngjashme.

Orban vlerësoi “nismat konstruktive dhe të rëndësishme” të Kinës për arritjen e paqes dhe e përshkroi Pekinin si një forcë stabilizuese mes turbullirave globale.

Përveç Rusisë dhe Ukrainës, fundi i luftës “varet nga vendimi i tre fuqive botërore, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Kinës”, shkroi kryeministri Orban në një postim në Facebook, në të cilin shihet duke shtrënguar duart me presidentin Xi Jinping.

Vetëm dy muaj më parë, Orban ishte takuar me Xi kur e priti liderin kinez në Budapest, si pjesë e një turneu evropian në tre vende, që përfshinte ndalesa në Francë dhe Serbi, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Europian apo e NATO-s.

Nën drejtimin e Orbanit, Hungaria i ka thelluar lidhjet politike e ato ekonomike me Pekinin, dhe në dhjetor njoftoi se gjiganti kinez i prodhimit të makinave të tilla BYD, do të hapë fabrikën e tij të parë europiane të prodhimit të këtyre makinave në jug të vendit.

E kjo në një kohë kur BE-ja njoftoi se do të vendosë tarifa ndaj automjeteve elektrike të importuara nga Kina, pas një hetimi që zbuloi se automjetet elektrike që prodhohen në Kinë mbështeten nga subvencionimeve të padrejta financiare, që përbëjnë kërcënim për prodhuesit europianë dhe dëmtojnë tregun europian për automjetet elektrike.

Sakaq, Kina që ka raporte të ngushta me Rusinë, ka promovuar një plan të saj të paqes me gjashtë pika për luftën e Ukrainës, e Orbani po ashtu ka nisur nga ana e tij një të ashtëquajtur “mision për paqe”, pasi vendi i tij mori udhëheqjen e Presidencës së BE-së në fillim të këtij muaji.